Gazeta Si – Sali Berisha u shpreh i gatshëm të ballafaqohet me kryeministrin Rama në një seancë gjyqësore për dosjen “Partizani”.
Por ai, shtoi se Rama nuk vjen dot në një seancë të tillë, pasi prokurorët dhe gjykatësit i shumëzon me zero.
Pasi u paraqit këtë të hënë sërish në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, kreu i PD tha se Rama ka marrë vendime për ndryshimin e destinacionit të pronave dhe për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
Ai shtoi se këto veprime janë të dokumentuara dhe duhet të hetohen nga drejtësia.
“Sa për dijeni, Edi Rama është kërkuar nga të akuzuarit e dosjes që në fillim të vijë jo dëshmitar, por në ndjekje penale. Pse? Sepse Edi Rama, një pjesë të mirë të territorit të klubit Partizani, e kishte shndërruar në një zonë urbane ndërtimi pa asnjë kërkesë të pronarëve, pa asnjë kërkesë të askujt, përveçse probabilist të peshkaqenit Olsi Rama, i cili kishte vendosur të bëhej miliarder në tokën e tjetrit. Dhe Edi Rama e ka zonuar atë në një kohë kur ajo as nuk u ishte kthyer pronarëve dhe as nuk kishin bërë asnjë kërkesë. Meqë është thënë se është Berisha ai që ka firmosur zonimin, një histori turpi, kjo është e vërteta. Dhe është thirrur të pyetet Edi Rama. Mbrapa Edi Rama dha lejet e ndërtimit tek klubi Partizani”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se është i gatshëm të marrë pjesë në çdo seancë ku do të thirret, duke kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë publike.
“Po të më thërrasë gjykata, do të shkoj me kënaqësi”, tha Berisha, duke shtuar se transparenca është thelbësore për zbardhjen e së vërtetës.
Berisha akuzoi më pas ish-kreun e SPAK Altin Dumanit, prokurorin e Posaçëm Arben Kraja, si dhe gjyqtaren e dosjes “Partizani”, Irena Gjoka.
Ish-kryeministri përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me veprime të dyshuara të paligjshme.
Po ashtu, prokuroria ka ngritur akuza edhe ndaj Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe Andia Pustina, financiere në kompaninë “Homeplan”, të cilët dyshohen për përfshirje në skema të pastrimit të parave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje