E marta ishte afati i fundit për regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deri më tani janë regjistruar 34 partive politike në KQZ, ndërsa tetë subjekte janë në pritje të vendimit nga ana e komisionit.
Në listën e të regjistruarve është Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate si të vetmet subjekte politike parlamentare. Pjesa më e madhe e partive politike janë që kanë qenë edhe më parë në koalicionin politike me Partiën Socialiste. Gjithashtu ekzistojnë disa parti politike si Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Konservatorë që dikur kanë qenë në koalicion me PD-në që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Sipas burimeve pranë KQZ-së, kanë paraqitur kërkesën për t’u regjistruar edhe tetë parti të tjera, si Balli Kombëtar, dikur në aleancë me PD-në. Kjo parti nuk iu bind urdhrit as për djegien e mandatit, ku kryetari i saj, Adriatik Alimadhi mori mandatin e deputetit, ku ishte pjesë e listës shumemërore të PD-së. Edhe partia më e re “Bindja Demokratike” ka paraqitur kërkesën për t’u regjistruar në KQZ. Kjo parti ka si përfaqësues të sajin deputetin e ri Andi Përmetin. Aleanca e Maqedonasve peer Integrim Europian; Aleanca Arbnore; Aleanca Demokrate Shqiptare janë subjektet e tjera politike që kanë paraqitur kërkesën e tyre. Ndërsa mësohet se në këto zgjedhje do të ketë edhe kandidatë të pavarur, në total 5.
Me skadimin e afatit për regjistrimin e partive politike, tanimë fillon përllogaritja e një mundësie tjetër për forcat politike, që synojnë të garojnë për zgjedhjet bashkiake. Kodi Zgjedhor ka parashikuar një afat tjetër kohor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, që mund të jetë edhe mundësia e fundit për partitë, të cilat nuk kanë mundur të paraqiten në kohë pranë KQZ-së.
Neni 65 i Kodit Zgjedhor flet për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, ku thuhet se: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”.
Praktikisht, koalicionet zgjedhore do të kenë afat të fundit datën 2 maj për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Partia Socialiste ka deklaruar se do të dalë në këto zgjedhje në një koalicion politik.
- Partia Socialiste e Shqipërisë
- Partia e Gjelbër
- Partia Kombëtare Konservatore Albania
- Partia Kristian Demokratike
- Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
- Partia Socialiste e Moderuar
- Partia Uniteti Kombëtar
- Partia e Emigracionit Shqiptar
- Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë
- Partia Personat me Aftësi të Kufizuar
- Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
- Partia Komuniste e Shqipërisë
- Partia Zgjidhja
- Partia Demokracia Sociale
- Partia Ligj dhe Drejtësi
- Partia e të Drejtave të Mohuara
- Partia Demokracia e Re Europiane
- Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
- Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet
- Partia Ardhmëria Shqiptare
- Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
- Partia Aleanca Demokratike Shqiptare
- Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë
- Partia Socialpunëtore Shqiptare
- Partia Socialdemokrate Shqiptare
- Partia për Demokraci dhe Solidaritet
- Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
- Partia Ora e Shqipërisë
- Partia Bashkimi Liberal Demokrat
- Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
- Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
- Parti Pajtimit Kombëtar Shqiptar
- Fryma e Re Demokratike
- Lista e Barabartë
Kandidatët e pavarur:
1- Kurbin: Nikoll Lleshi
2- Klos: Bedri Hoxha
3- Berat: Plarent Aleksi
4- Devoll: Fezi Shaholli
5- Berat: Dhionisios Beleri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.