Para

Mbrojtja sociale / Shqipëria, vendi që ofron më pak për grupet në nevojë, pensionet marrin pjesën kryesore

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqipëria ka normën më të ulët të shpenzimeve për mbrojtje sociale në rajon dhe e dyta në Europë, pas Turqisë. Sipas matjeve të Eurostat, Shqipëria i ka dedikuar këtij zëri 12.8% të PBB-së së vendit në 2021-shin. Analiza vazhdon me ndarjen sipas funksioneve, pra cilat grupe sociale marrin më shumë ndihmë.

Ashtu si në vendet e tjera, edhe në Shqipëri, pjesa më e madhe shkon për të moshuarit që marrin pensionin, 53.6 % e totalit të fondit. Më pas janë shpenzimet për kujdesin shëndetësor 24.2%. sipas tabelës, vlera më e vogël shkon për strehimin dhe eliminimin e përjashtimit social, vetëm 0.7% e shpenzimeve.

Përcaktimi i fondeve për mbrojtjen sociale është e njëjtë në të gjithë Europën, por shpërndarja e tyre sipas grupeve në nevojë është më e drejtë dhe me më pak diferenca. Në total, për vitin 2021, shpenzimet e këtij zëri në Europë kapën vlerën e 4.2 trilion euro, sa 28.7% e PBB-së.

Përveç masës, Eurostat raporton edhe mënyrën e ofrimit të kësaj ndihme. Shqipëria mban vendin e parë si shteti që preferon t’a japë ndihmën sociale në cash. 70% e këtyre shpenzimeve janë dhënë në para të thata, tregojnë statistikat e BE-së. Pjesa tjetër kanë marrë “përfitime në natyrë”, pra jo vlera monetare të drejtpërdrejta, por ndihmë në procese të ndryshme.

Kjo mënyrë nuk është e pazakontë për vendet e tjera, por dominon në Mesdhe, me Italinë, Greqinë dhe Shqipërinë në krye.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë