Art dhe Kulture

Mbrojeni Jonidën!

Jonida Maliqi në Tel Aviv, në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës, Eurovision ka shkuar të përfaqësojë Shqipërinë. Garën individuale përballë kolegëve të saj shqiptarë e pat dhjetorin e shkuar, në skenën e Pallatit të Kongreseve, ndërsa drejt Izraelit shkoi si përfaqësuese e vendit, nga i cili në vend të mbështetjeve mori një lumë kritikash. Por jo për vokalin, as për paraqitjen, as për llojin e këngës me ngjyresa të muzikës etno-folk. Kritikat e një mase histerike identitetesh virtuale e linçuan Jonida Maliqin, këngëtare e ngjitur në skenat e muzikës që në moshë të vogël, për nivelin e saj të njohurive në gjuhën angleze.

Një intervistë e shpenguar në prapaskenë, ku  Maliqi shihej në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura për atë që donte të shprehte (sa herë ndodh të mos i gjejmë fjalët as në gjuhën mëmë!) duhej për të nisur fushatën e fshikullimit që shkonte nga përmendja e një kursi të anglishtes, që kushton “sa një çante” e këngëtares, e cila njihet edhe për pasionin e saj ndaj modës, e deri tek ndërhyrjet e saj estetike për të përfunduar tek ndonjë koment ca më “profesional” se përse ende më 2019-n paraqitemi me këngë mediokre dhe flasim për emigracionin. Kënga “Ktheju Tokës” në fakt është një thirrje për shqiptarët t’u kthehen rrënjëve.

Nëse dikujt eksodet e viteve ’90 u duken kohë e largët, duhet të hedhin sytë nga qindra mijëra aplikimet për lotari amerikane, ankthi i të cilëve kur presin përgjigjen bën të bjerë serveri i ambasadës së SHBA-së apo atyre mijëra të rinjve e profesionistëve të regjistruar në kurse të gjermanishtes, pasuar me kontrata pune në Gjermani apo mijëra shqiptarëve që aplikojnë për azil në Francë, fenomen që e bëri presidentin Macron të tregohet skeptik në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pikërisht për shkak të precedentit negativ me sivëllezërit e Shqipërisë. Por jo vetëm ajo masë perfeksionistësh anonimë nëpër rrjetet sociale, që çdo vit, kushdo qoftë përfaqësuesi i vendit në këtë festival, ndihen si të prezantuar jo në nivelin e duhur, sikur vendi meriton më shumë. As shteti nuk u kujtua për përfaqësimin  e Shqipërisë në Eurovision 2019.

E ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut publikoi mesazhin mbështetës pasi këngëtarja që përfaqësonte vendin këtë vit ishte ndër dhjetë finalistët e natës së dytë, sikurse edhe Jonida Maliqi e Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë i njohur si përdorues i ethshëm i rrjeteve sociale, që nuk lë rast pa postuar edhe “meme” nga faqe satirike apo të ashtuquajtur “Foto e Ditës”, nuk pat asnjë mesazh inkurajimi e as urimi për këngëtaren shqiptare. Ndoshta ngaqë në kohën kur Jonida Maliqi performonte live, në një ekzekutim të fuqishëm të këngës “Ktheju Tokës”, kryeministri Rama ishte në një studio televizive duke folur për ngërçin politik dhe zgjedhjet e 30 qershorit. Ndoshta keqpërkimi qe arsyeja për të. Por as ministrja e Kulturës, Elva Margariti nuk shkroi qoftë edhe një rresht për këngëtaren mbrëmjen e 16 majit, pasi vokali dhe performanca e çoi Maliqin në natën finale të Eurovision, në Tel Aviv.

Maliqi përfaqëson Shqipërinë si çdo artist në gara e kompeticione kulturore.  Pa vënë në peshore rëndësinë kulturore apo artistike të ngjarjeve, një shpurë e tërë, përfshi ministren e Kulturës, artistë të njohur, drejtorin e GKA-së e shumë të tjerë ishin në mbështetje të Driant Zenelit në çeljen e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias vetëm një javë më parë.

Në një festival që ka treguar gjatë historisë së tij se është i mbështetur po aq sa në performancat e këngëtarëve, në mos më shumë, edhe në çështjet e gjeopolitikës. A do të zemërohet ajo falangë kritikësh e tallësish nëse do të shohin që natën finale fqinjët, tek të cilët mbështetemi për ndonjë 10 apo 12 pikësh, nuk do të na votojnë, kur vetë nuk ia kemi kursyer vërshimin e sharjeve këngëtares shqiptare? Të mos harrojmë se Jonida Maliqi nuk ka shkuar të përfaqësojë thjesht veten. Për ata që u turpëruan nga anglishtja e saj, në skenë ajo foli me një gjuhë që e flet rrjedhshëm, atë të muzikës. Nëse gjithnjë kemi maninë e persekutimit, se me Shqipërinë qoftë në art apo në sport të tjerët tregohen të padrejtë në vlerësim, të shohim njëherë nga vetja e të kujtojmë vargjet e Jezuit në ungjill: “Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?” Jonida Maliqi në Eurovision është Shqipëria. Kritikat, i ruani për performancën! Gjithnjë nëse keni ekspertizën e duhur...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë