Gazeta Si – Pas impenjimit të dyfishtë me Kombëtaren, disa nga lojtarët kuqezi kanë zbritur menjëherë në fushë me klubet e tyre. ‘Italianët’, që janë edhe më të shumtë te Shqipëria, kanë përjetuar emocione të ndryshme këtë fundjavë.
Për portierin Etrit Berisha ishte një mbrëmje për t’u harruar në ‘Olimpico’, ku pësoi plot 7 gola. Empoli i tij është mundur thellë, 7-0, nga Roma. Berisha ishte titullar dhe u ndëshkua që në minutën e 2-të me penallti nga Paulo Dibala. Më pas Roma realizoi edhe 6 gola të tjerë. Mbrojtësi Ardian Ismajli u fut në fushë në fillim të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 3-0, kurse sulmuesi Stiven Shpendi u aktivizua në minutën e 84-t.

I palodhuri Ylber Ramadani, titullar në të dyja ndeshjet e fundit të kuqezinjve, nuk mungoi në formacionin e Leçes, që sot barazoi 1-1 në fushën e Moncës. Mefushori ishte në nivelin e tij të zakonshëm dhe tashmë është bërë një lojtar kyç për Leçen.
Nedim Bajrami e nisi titullar ndeshjen ndaj Frozinones, ku Sasuolo i tij u mund 4-2, edhe pse ishte në avantazh të 2 golave në fillim. Fantazisti kuqezi u zëvendësua pak pasi nisi pjesa e dytë.
Berat Gjimshiti nuk zbriti në fushë asnjë minutë në ndeshjen mes Fiorentinës dhe Atalantës, e fituar 3-2 nga skuadra vendëse. Të shtunën, Kristjan Asllani luajti pak më shumë se 10 minuta në derbin e fituar 5-1 nga Interi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.