Politike

Konsensusi i parë mes PD së Rithemelimit dhe PS. Çuçi: Ok hetimit. Pakti për TIMS dhe Koncesionet në Shëndetësi

Nga Gazeta Si -Qysh prej muajit tetor të vitit të kaluar, sot është mbledhur për herë të parë pa debat dhe tensione  Konferenca e kryetareve ku merr pjese Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj nga PD-ja e Rithemelimit. Gazment Bardhi merr pjesë si kryetar i grupit ndërsa Gjekmarkaj si nënkryetar Kuvendi.

Mbledhja vjen pas negociatave paraprake për të gjetur zgjidhje për kërkesat kryesore te Rithemelimit që në thelb lidhen me komisionet hetimore dhe bashkedrejtimin e komisionit për reformën zgjedhore.   

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar Socialist e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t'u rikthyer në normalitet. Lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar.

"Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar, është shprehur Çuçi.

Burimet nga mbledhja tregojnë se palët janë dakordësuar per hetimin e TIMS dhe Koncesionet në Shëndetësi.

Më tej, ai çmoi rolin e opozitës në Parlament duke përmendur edhe ligje që duan shumicë të cilësuar.

"Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale", tha Çuçi.

Në mbledhjen e konferencës se kryetareve merr pjese edhe Flutura Açka por jo si kryetare e grupit te PD-se siç ka pretenduar deri me tash por si kryetare komisioni.

Nderkohe konferenca e kryetareve ka arritur rezultatin e pare.

Mazhoranca tërhiqet nga vendimet e datës 12 Tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyjen e paligjshme në sistemin TIMS.

Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakort që Opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.

Është vendosur në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme.

Nesër mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar vendimet për ngritjen e ketyre dy komisioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë