Politike

Mblidhen firmat e deputetëve/ Vokshi: Do të ngrihet komision hetimor për PPP-të në shëndetësi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat, njoftoi se janë mbledhur firmat e deputetëve për ngritjen e një komisioni hetimor për dhënien e katër koncensioneve në shëndetësi.

“Neni 7 e detyron ngritjen e një komisioni hetimor. Ne kemi arritur të marrim firmat e deputetëve për ngritjen e komisionit për PPP në mënyrë që të zbardhim abuzimet e mëdha në sektorin e shëndetësisë. Sot qytetarët jo vetëm që nuk marrin shërbim shëndetësor falas por paguajnë për çdo shërbim.
Shërbimet kirurgjikale në shumë raste nuk jepen. Beteja për të zbardhur korrupsionin do të vazhdojë. Duan të mbajnë të fshehtë abuzimet marramendëse në këto koncensione. Shumë pak na kanë besuar kur e nisëm këtë betejë në 2013-2014. Ja dolëm që denoncimet në shëndetësi t’i kthenim në çështje kombëtare. Hartuesi i skemës së koncensioneve Ilir Beqja, kryepërgjegjësi Edi Rama dhe zbatuesja Ogerta Manastirliu nuk janë as nën hetim”, tha Vokshi

Katër kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 45.5 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë. Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK kanë treguar për shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave. Pikërisht, me qëllim shqyrtimin e këtyre praktikave, si dhe vlerësimin e marrjes së masave të nevojshme, përfshirë ndërhyrjet ligjore, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë”, thuhet në kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë