Libra

Mbledhësit e mbeturinave hapin bibliotekë me libra të braktisur

Mbledhësit e mbeturinave në kryeqytetin turk kanë hapur një bibliotekë publike, me libra të destinuar për në landfille. Biblioteka e vendosur në distriktin Çankaya të Ankarasë, u themelua pasi punonjësit e pastrimit nisën të mbledhin librat e hedhur. Për muaj, punonjësit mblodhën libra të harruar. Me t’u përhapur fjala e koleksionit, edhe banorët nisën të dhurojnë libra.

Fillimisht, librat huazoheshin vetëm nga  punonjësit dhe familjet. Por me rritjen e koleksionit dhe të interesimit në komunitet, shtatorin e vitit të kaluar biblioteka u hap edhe për publikun. “Nisëm të mendonim  idenë e krijimit të një biblioteke me këta libra. Edhe kur të gjithë e mbështetën, ky projekt mori jetë”, thotë kryebashkiaku i Çankaya-s,  Alper Tasdelen.

Sot, biblioteka ka mbi 6 mijë libra që variojnë nga letërsia deri tek librat jo fiction. Ka edhe një seksion të librave për fëmijë me libra vizatimorë dhe një seksion i tërë për kërkim shkencor. Për vizitorët dygjuhësh, ka edhe librat në anglisht dhe frëngjisht. Biblioteka u strehua në një ish- fabrikë tullash në zyrat e departamentit sanitar.

Me një fasadë të vjetër tullash dhe korridore të gjatë, hapësira ishte ideale për bibliotekë. Librat huazohen me afate nga dy deri në tri javë dhe kohëzgjatja mund të shtrihet nëse është e nevojshme. “Nga njëra  anë, ishin ata që i linin këta libra në rrugë. Nga ana tjetër, të tjerë që i kërkonin këta libra”, ka thënë Tasdelen.

Koleksioni u bë aq i madh sa biblioteka tani huazon librat e shpëtuar edhe për shkolla, programe edukative e madje edhe burgje. “Mësuesit e fshatrave nga e gjithë Turqia po kërkojnë libra”, thotë Tasdelen. Bashkia e qytetit ka punësuar njerëz me kohë të plotë për të menaxhuar bibliotekën.

Biblioteka mbushet shpesh me fëmijët e punonjësve të bashkisë dhe studentë nga shkollat aty afër. Ka edhe një zonë për lexuesit dhe tavolina shahu për vizitorët. Biblioteka popullohet veçanërisht nga çiklistë që pedalojnë në luginën aty pranë dhe pushojnë për një lexim të shpejtë dhe një filxhan çaj.

“Më parë, dëshiroja të kisha një bibliotekë në shtëpi. Tani kemi një bibliotekë këtu”, thotë mbledhësi i mbeturinave, 32-vjeçari Serhat Baytemur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë