Art dhe Kulture

Mbi 180 role në teatër e kinematografi, Margarita Xhepa feston 90 vjetorin

Aktorja e madhe e skenës dhe ekranit, Margarita Xhepa, feston sot 90-vjetorin e lindjes.

Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.

Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa është duartrokitur edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën” etj.

U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor.

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).

Margarita Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë