Financa Personale

Mbi 18 mijë shqiptarë dolën nga varfëria në 2021-shin. Të varfërit përballen me inflacion më të lartë

Pandemia iku nga Ballkani Perëndimor duke lënë aty plagë afatgjata dhe borxh të lartë publik. Në fakt, rajoni po përballej me çmime të larta energjie që para luftës në Ukrainë, por ajo i rëndoi më tepër.

Sipas Bankës Botërore, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nisën shpejt ecurinë pozitive, pas krizës. Në të gjithë rajonin rritja ekonomike për vitin 2021 matej 7.4%. Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnjë Hercegovina ishin ndër vendet që surprizuan me performancën e tyre ekonomike.

Mali i Zi është i vetmi vend që pritet të rimëkëmbet në 2023-shin, për shkak të goditjes së turizmit në mungesë të turistëve ukrainas.

Për vitin 2021, Shqipëria ishte shteti i vetëm që u ndihmua më së shumti nga investimet në performancën pozitive të ekonomisë, ndërsa të tjerat nga konsumi i lartë. Përveç Malit të Zi që rriti eksportet neto.

Gjatë vitit të shkuar, në Ballkanin Perëndimor u rihapën 245 mijë vende të reja pune. Në Shqipëri u rihapën në sektorin e shërbimeve, por agrikultura mbetet fusha me më shumë të punësuar.

Ndërkohë, BB tregon se 408 mijë qytetarë dolën nga varfëria në vendet e rajonit dhe 22% e tyre i përkisnin Shqipërisë, pra rreth 18.500 qytetarë. Por sipas BB-së, ky zinxhir mund të mos vazhdojë gjatë për shkak të rritjes së inflacionit.

Kosova dhe Shqipëria përbëjnë rreth 80% të varfërisë totale të Ballkanit Perëndimor.

Inflacioni i familjeve në Shqipëri gjatë muajve të parë 2022, rezulton më i lartë se Indeksi total, 4.3% kundrejt 3.9%.

Ndërkohë familjet më të varfëra, përballen me një inflacion edhe me të lartë, 4.5%. Ndërsa ato të pasura, me inflacion më të ulët se vetë indeksi, 3.7%.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë borxhin më të lartë publik në rajon, me 78 dhe 88% ndaj PBB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë