Menaxhim

Mbetjet toksike/ Balluku: S’ka lidhje porti i Durrësit, fajtorin e nxjerrin hetimet. Nëse Kurum shpall paaftësi financiare, rishikojmë kontratën

Nga Gazeta ‘SI’ - Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku doli përballë medias pas mbledhjes së qeverisë, duke thënë se situata e eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga porti i Durrësit, është nën monitorim.

Balluku theksoi se çështja nuk ka të bëjë me portin e Durrësit si autoritet dhe as ministrinë dhe shtoi se qeveria në bashkëpunim me OLAF po hetojnë ngjarjen.

“Çështja e mjeteve dhe porti i Durrësit janë dy gjëra të ndryshme sepse kam vënë re që përfshihen ministritë apo Autoriteti portual. Transporti i mbetjeve të rrezikshme ka filluar në ’98, kjo është për t’ju dhënë fakte që ka një protokoll të mirëfilltë për të cilin ministria e Mjedisit ua ka bërë me dije. Nuk është asgjë e re, ka edhe tranzitim dhe eksport të mbetjeve që janë të koduara në bazë të kodeve europiane. Ka qenë procedure normale deri kur mori këtë përmasë, por duhet thënë se autoriteti portual s’ka asnjë lidhje me këtë proces. Autoriteti portual me koncesionarin që ka kryer këtë transporte janë dy entitete konkurrente. Do të ndalja këtu informacionin për këtë çështje pasi qeveria janë angazhuar që ditën e parë në bashkëpunim me OLAF, dhe do të kërkoja që secili t’i jepte kohën e duhur drejtësisë dhe më pas të flasim. Të mos e kthejmë këtë cështje procedurale në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha ministrja Balluku.

Pyetur për aktivitetin e shoqërisë Kurum dhe lajmit se 500 punonjës janë hequr nga puna, Balluku tha se situata do të monitorohet, pasi është shumë delikate dhe do të ketë një rishikim të kontratës në rast se Kurum shpall paaftësinë financiare.

“Po analizojmë situatën. Ka pasur një njoftim të Kurum për vështirësi. Nuk është hera e parë që kemi konflikte me Kurum. Sapo kemi fituar një koncesion me Kurumin për portin e Durrësit. Do të jetë i detyruar të japë shpjegimet e duhura, është çështje sociale, bëhet fjalë për 500 familje. Në ditët në vazhdim do të ketë një komunikim. Nëse Kurum shpall paaftësi financiare, rishikohet kontrata. Duhet të shikojmë se çfarë deklaron Kurum”, shtoi zv.kryeministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë