Mjedis

Mbetjet e tërmetit hidhen në zonat turistike

Përveç armikut të padukshëm, siç e ka cilësuar kryeministri Edi Rama koronavirusin e ri, sezoni turistik në Shqipëri përballet këtë vit edhe me armik të dukshëm: ndotjen mjedisore.

Edhe pse ky armik është i përvitshëm, këtë fillim vere situata është përkeqësuar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, pasojat e të cilit po rëndojnë edhe mbi mjedisin. Mbetjet inerte të shkaktuara nga prishja e godinave si pasojë e tërmetit tragjik janë hedhur përgjatë rrugëve nacionale dhe në zona turistike

Në fillim të sezonit turistik ajo që të bie në sy është se përgjatë anëve të rrugëve nacionale mes tokave të gjelbëruara, anës bregut të detit në zonat e plazheve, janë depozituar sasi të mëdha mbetjesh të ngurta.

Ekspertët ngrenë shqetësimin se vieçanërisht në rastet e prishjes së godinave, mbetjet inerte nuk janë thjesht beton, gurë, apo dhera, por ato përmbajnë edhe substanca të tjera si qelq, dru, porcelan, tekstile, profile hekuri e çeliku, apo profile alumini, gjë që e rëndon më shumë situatën dhe rreziku i ndotjes është edhe më i madh.  

Nga një vëzhgim i ekspertëve, vihet re në zonat kryesisht pranë Tiranës, vihet re se mbetjet inerte janë hedhur përgjatë rrugëve, siç është zona pranë Mulletit. Qindra ton inerte janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër. Ndërkohë që kryesisht në zonat periferike vendet e ndotura në kryeqytet janë  të panumërta. Fshati Tapizë është e mbushur me kodra inertesh të cilat  janë hedhur  vetëm ditët e fundit. Në Malin e Dajtit, përgjatë hapësirës turistike, janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme inerte, duke rrezikuar gjelbërimin dhe duke dëmtuar turizmin në këtë zonë.

Edhe Lumi Erzen është mbushur plot me inerte, të cilat zënë shtratin e tij dhe për pasojë ndikojnë negativisht në ekosistemin natyror të burimeve ujore. Por edhe inertet që hidhen në periferi të tjera kanë një ndikim të konsiderueshëm në përmbytjen e zonave përrreth, pasi nëpërmjet rreshjeve inertet  transportohen në burimet ujore, si dhe në kanalet kulluese dhe ujitëse, duke ndikuar kështu edhe në bujqësi.

Një problem i përhershëm është se firma të ndryshme ndërtimi pasi hapin themelet e pallateve i hedhin inertet jo në vende të caktuara sipas legjislacionit, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm në mjedis.  

Nga ana e saj, Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon se në Shqipëri mbetjet inerte, mbetjet e rrezikshme, mbetjet spitalore dhe mbetjet e kafshëve nuk trajtohen sipas kërkesave ligjore, pasi  mungojnë landfillet e veçanta për depozitimin e ketyre mbetjeve sic jane mungesa e landfilleve per mbetjet e rrezikshme që mbeten emergjenca më e madhe ne vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë