Drejtësia

Mbështetës të Belerit mblidhen para gjykatës, e pranishme edhe ambasadorja e media greke

Në Gjykatën e Posaçme mbahet sot seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Blerin. Ky i fundit kërkon leje për t’u betuar.

Sipas prokurorëve të SPAK, nuk ka dispozitë ligjore për leje të veçanta përveç sëmundjeve të rënda që verifikohen me raport mjekësor, ose në rast tjetër, martesë, vdekje apo provim. Përfaqësuesit e drejtorisë së burgjeve kanë argumentuar se një kërkesë e tillë duhet të rrëzohet sepse nuk bazohet në ligj. Ndërsa avokatët e Belerit shprehen se kjo e drejtë Belerit i është garantuar nga Kushtetuta.

Ndërkohë një grup qytetarësh, mbështetës të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri kanë udhëtuar me autobus drejt Tiranës për të qenë para GJKKO-së ku pritet të merret vendimi. Vihet re dhe një prezencë e madhe e mediave greke si dhe e ambasadores greke. 

Çështja e betimit të Belerit si kryebashkiak i Himarës është bërë temë kryesore edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Shteti grek vijon të mos pranojë firmosjen e letrës që do të hapte negociatat e Shqipërisë më Bashkimin Evropian. Sipas Greqisë moslejimi i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, është vendim politik i qeverisë.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë