Drejtësia

GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për t’u betuar, kryebashkiaku i Himarës: Po shkaktoni qëndrime armiqësore

Gazeta Si - GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për leje të posaçme pë t'u betuar si titullar i institucionit.

Edhe pse ndodhet në qeli për korrupsion në zgjedhje, ai ka kërkuar nga gjyqtarët marrjen sa më shpejt të një vendimi për të, duke akuzuar se po shkaktojnë qëndrime armiqësore.

Beleri kërkoi sërish që të kryejë betimin si kryebashkiak, duke argumentuar mes të tjerash se Bashkinë e Himarës momentalisht po e drejton dikush që nuk është i mandatuar nga votuesit.

Gjatë seancës së kësaj të hëne, ku u shqyrtua kërkesa e tij për leje të posaçme, ai shtoi se ndërkohë kryetari në detyrë, Jorgo Goro po jep tenderë dhe po abuzon me Bashkinë e Himarës, duke lejuar ndërtime pa leje.

Beleri e ka konsideruar një padrejtësi për interesa politike dhe financiare gjyqin ndaj tij. Ai deklaroi se zgjatja apo shtyrja e seancës nuk është mënyra e duhur e gjykatës për të dhënë drejtësi. Sipas tij po shkaktohen “qëndrime armiqësore, duke na ndarë në grekë dhe jo grekë”.

“Ndaj meje po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare.  Zgjatja, shtyrja, përcjellja nga gjykata në gjykatë, veprimet tuaja për shtyrje të seancës nuk janë mënyra e duhur e gjykatës për të dhënë drejtësi. Po më dëmtoni mua, por edhe familjen time. Po ashtu po shkaktoni qëndrime armiqësore, duke na ndarë në grekë dhe jo grekë. Mbështetja e qytetarëve të Himarës më ka dhënë forcë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.  Po dëgjojmë çudira në këtë gjyq”, deklaroi Beleri.

Beleri theksoi se po mbahet në burg sepse kështu i intereson kryeministrit.

“Po mbahem në burg sepse kështu i intereson kryeministrit. Insistimi i vazhdueshëm i SPAK për të dalë kundër kërkesës pavarësisht se nuk e ka për obligim ligjor tregon presionin politik që ka, - vijoi ai. - Në presion dukshëm janë edhe GJKKO e burgjet. Jam mandatuar për të drejtuar bashkinë, jam zgjedhur nga votuesit e Himarës, që më besuan në procesin e përzgjedhjes si kandidat por edhe o koalicionit bashkë fitojmë por edhe si fitues i zgjedhjeve”.

Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe akuzohet për “korrupsion në zgjedhje”.

Dule: Vendim i orkestruar dhe paralajmëruar nga Rama

Pas vendimit, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka reaguar para mediave, duke thënë se vendimi ishte i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama.

“Një vendim i paralajmëruar. Kryeministri i vendit, i parapriu javën e kaluar vendimit të gjykatës me verdiktin e tij. Keqardhje për Republikën tonë, demokracinë tonë dhe drejtësinë tonë. Çështja Beleri është vetëm një kakofoni në drejtësi, ku orkestra dhe interpretimi realizohet nga kryeministri i vendit, - tha Dule. - Beleri i privohet e drejta kushtetuese prej 7 muajsh dh cdo qytetari të Himarës i privohet e drejta për të zgjedhur. Rama kërkon me cdo kusht të mbajë në krye të bashkisë së Himarës, një kryetar të pavotuar, me qëllim që të vazhdojnë aferat korruptive, që kanë për synim tjetërsimin e statusit pronësor, në favore klienteliste"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë