Futboll

Mbape ka vendosur përfundimisht të shkojë te Real Madrid, Konte refuzon Barcelonën

Gazeta Si – Pas 7 vitesh, Kilian Mbape po përgatitet të lërë Parisin për t’u transferuar në Madrid. Këtë herë nuk mendohet të ketë ndonjë ndryshim në fund. Vendimi është marrë, sulmuesi do të veshë më në fund fanellën e Realit në qershor, kur përfundon kontrata e tij me PSG-në.

Janë në dijeni të këtij fakti drejtuesit e klubit francez, që sipas ‘Le Parisien’, nuk mundën ta bindnin yllin e tyre të qëndrojë. Mbape, i cili shpesh ka qenë pranë Realit, këtë herë ishte i palëkundur në vendimin e tij. Sulmuesi dëshiron të ndryshojë ambient dhe sheh Realin si mundësinë për shenjtërimin e tij përfundimtar.

Një lajm befasues vjen ndërkohë nga klubi tjetër spanjoll, Barcelona. Katalanasit, që në fund të sezonit do të ndajnë rrugët me Ksavin, trajnerin aktual, kanë pasur kontakte me Antonio Konten. Trajneri italian nuk ka ofruar disponibilitetin e tij, duke bërë të ditur se dëshiron të kthehet në Serinë A, sipas ‘fichajes.net’.

Barcelona ka në shënjestër edhe disa emra të tjera për pasuesin e Ksavit. Njëri prej tyre dhe që pëlqehet më shumë nga presidenti Laporta është ish-lojtari dhe ish-trajneri i katalanasve, Frenk Rajkad. Megjithatë, ka ende kohë për ta menduar dhe zgjidhur me qetësi këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë