Futboll

“Mbape është për ‘Topin e Artë’. Do të jetë ai Pelè i ri”

“Mbape mund të bëhet pasardhësi im dhe nuk e them për shaka. Rishikoj veten tek ai në lojën e shpejtë. Është një sulmues që mendon shumë shpejt, kur i vjen topi e di mirë se çfarë duhet të bëjë, e ka në kokë ku duhet të shkojë dhe si duhet ta orientojë lojën për zgjidhjen më të mirë. Janë karakteristika të rëndësishme edhe në futbollin e sotëm. Pastaj, Kilian është i shpejtë edhe në vrapim dhe në driblim, siç kam qenë unë”.

Fjalë të dala nga goja Edson Arantes do Nashimento, apo Pele. Fjalë të thëna para se më 16 shkurt sulmuesi francez i PSG-së të shënonte tre gola në “Camp Nou” ndaj Barcelonës së Lionel Mesit në Ligën e Kampionëve.

Mbape në kopertinën e "Sportweek". Gazeta Si, 5 mars 2021

Të mërkurën, në “Parc des Princes”, PSG-ja mund të kompletojë kualifikimin ndaj skuadrës së 6 herë fituesit të “Topit të Artë”. Me 3 golat e shënuar në Barcelonë, Mbape ka lënë një shenjë të rëndësishme edhe në lidhje me çmimin e edicionit të ardhshëm të lojtarit më të mirë në botë. Sipas një tjetër “Topi të Artë” të intervistuar nga “Sportweek”, Zhan-Pierr Papen, ai e meriton plotësisht që tani.

Mbape shënon më shumë se Mesi dhe Ronaldo në të njëjtën moshë. Kur ishin 22 vjeç e 70 ditë, Mesi dhe CR7 kishin realizuar respektivisht 17 dhe 2 gola në Ligën e Kampionëve, ndaj 24 të kampionit të botës. Francezi është superior edhe për golat në kampionat: 98 Mbape, 54 Mesi dhe 34 Ronaldo. Numra që i japin të drejtë Pelesë.

Për këtë arsye, pavarësisht pandemisë, talenti francez ka një vlerë nga 120 deri në 150 milionë euro, sipas Cies. Mesi dhe Ronaldo vlerësohen 40-50 milionë euro. Argjentinasit i skadon kontrata në fund të sezonit aktual, kurse Mbape ka edhe një vit kontratë.

Mbape dhe Mesi në Barcelona-PSG. Gazeta Si, 5 mars 2021

Rinovimi i Mbapesë është tashmë një përparësi absolute, madje synohet që edhe argjentinasi të transferohet te PSG-ja. Arsyet nuk janë vetëm sportive, por edhe për prestigj. Emiri i Katarit preferon që kur të luhet Botërori në vitin 2022, PSG-ja e tij të ketë një profil sa më të lartë, me Mbape në krye.

Edhe për Francën, falë Botërorit të Rusisë, është zgjuar krenaria e një kombi multietnik, si në kohët e Zidan, i cili tani e kërkon Mbapenë te Reali. Për këtë çështje ka reaguar edhe Ministrja e Sportit, Roksana Maracineanu, duke i kërkuar Mbapesë të qëndrojë në Paris. “Kemi nevojë për ty”, - tha ajo, ndërkohë që 73% e francezëve janë gati të heqin dorë nga Mesi për qëndrimin e Pelesë së ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë