Futboll

Mbape do qëndrojë 3 javë jashtë fushave, lajm i mirë për Gjimshitin

Kilian Mbape do të jetë i disponueshëm për PSG-në pas tri javësh. Sulmuesi francez, kampion bote, humbet kështu ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Atalantës, e programuar për t’u luajtur më 12 gusht.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi francez me një njoftim zyrtar, pas vizitave që Mbape kreu për kaviljen që dëmtoi gjatë finales së Kupës së Francës. Pas asaj ndërhyrje të rëndë të Perrin, sulmuesi la fushën dhe më pas u pa të ulej në stol me paterica. Kishte pak shpresa që Mbape të ishte i gatshëm për ndeshjen me Atalantën dhe ky është një lajm i mirë për Berat Gjimshitin, lojtarin e Kombëtares shqiptare. Ai nuk do të ketë kundërshtar një nga sulmuesit më të mirë në botë.

Trajneri i PSG-së, Tuhel, u shfaq nervoz në konferencën e shtypit, duke kërkuar më shumë kujdes nga arbitrat, kurse kapiteni Tiago Silva u shpreh: "Jemi të trishtuar për Kilianin". Në njoftimin e PSG-së për dëmtimin e Mbape nuk lihet asnjë shpresë rikuperimi për Atalantën. "Rezonanca ka treguar se ka një dëmtim të ligamenteve të jashtme të kaviljes. Për të kaluar këtë dëmtim nevojiten tri javë”, - shkruhet në njoftimin zyrtar. Ndeshja me Atalantën luhet pas 16 ditësh dhe Mbape nuk do të jetë në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë