Ka ndodhur

Mbajtja e maskës në rrugë, gjobiten 701 qytetarë në të gjithë vendin

Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle edhe në mbrëmje për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Policia thotë se gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, në të gjithë vendin policia ka vendosur 701 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 564 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë