Opinion

Maskat me detyrim kudo… Diktaturë në emër të shëndetit apo beteja e fundme me Covid-19?

Suadela Balliu - Po sikur totalitarizma e re të kishte marrë formën e frikës më të madhe të qenies njerëzore, atë nga vdekja e pa iu dashur të premtojë parajsën sociale dhe ekonomike në tokë, t’ia dalë në instalimin e një rendi të ri? Larg qoftë të na quajnë konspirativë apo edhe më keq të çmendur, por e ardhmja distopiane duket se ka trokitur në derë. Aty,  ku Vëllai i Madh i Xhorxh Oruellit (i mishëruar nga qeveritë botërore) kujdeset për shëndetin dhe jetën e secilit individ duke detyruar mbi ta masa shtrënguese që sakrifikojnë të drejtat themelore. Individi po shkrihet e po humbet në një masë të pacaktuar, shënjuar nga maskat në fytyrë, tashmë edhe në rrugë, edhe nën qiell...

Por siç e gjithë shoqëria ka rënë dakord, përmes kontratës sociale, se në kohë të jashtëzakonshme liritë e të drejtat themelore për arritjen e të cilave është luftuar në kohë të zakonshme ose jo, lexohen në një dritë tjetër, ose dalin në plan të dytë. Në rastin më të keq shpërfillen.

Kështu u bind i gjithë njerëzimi, thuajse në të njëjtën kohë, të izolohej brenda shtëpive për muaj me radhë për të mos marrë virusin e për të mos infektuar të tjerët, ndërsa qeveritë deklaronin – me përjashtim të ndonjë lideri që fillimisht nuk e besoi se koronavirusi ishte realitet – se po luftonin me një armik të padukshëm. Luftë planetare, e cilësuan disa, me pasoja të rënda në shëndet e mbi të gjitha në ekonomi.  Të rënët e kësaj lufte, me mijëra në ditë, veç sa e shtonin frikën dhe bindjen për të respektuar vendimet e qeverive që për herë të parë në historinë moderne të njerëzimit ndërprenë mjete ajrore, detare , tokësore e hekurudhore të transportit, i bënë daljet me orare dhe vetëm për arsye të forta jetike, ku individët duhet të pajiseshin me maska dhe me doreza. Jashtë ishte armiku i padukshëm dhe të gjithë duheshin armatosur.

Kryeministri Edi Rama me maskë ku dallohet logoja e kryeministrisë

Por pajisja me “armë” nuk ishte vendim aq i unifikuar dhe i menjëhershëm, ku qeveritë në konsultim me Organizatën Botërore të Shëndetit që shpesh dilte me përfundime që kundërshtonin  të mëparshmin. Fillimisht maskat – me frikën se depot kishin furnizime që me rritjen e kërkesave do të shteronin shpejt, duke lënë kështu frontin e luftës së punonjësve të shëndetësisë zbuluar dhe në rrezik të vijës së parë -, u menduan se nuk ishin të nevojshme për të gjithë. Vetëm mjekëve, infermierëve e sanitarëve në njësitë e shërbimeve spitalore u duheshin. Më pas me nisjen e prodhimit të maskave kirurgjikale nga kompani të ndryshme manifakture, por edhe me shpikjet artizanale të atyre prej tekstili që siguronin më shumë se një përdorim, maska u bë edhe njëherë e domosdoshme, madje e detyrueshme. Madje edhe bota e modës nuk e anashkaloi realitetin e maskave, duke i përfshirë në tendencat e sezoneve të reja.

Rikthimi i lirisë themelore të lëvizjes dhe dalëngadalë ai i veprimtarisë së mëparshme, që u quajt edhe “Hapja e Madhe”, parashikonte përdorimin e detyrueshëm  të  maskave në mjedise të mbyllura dhe transport publik ,si edhe çdo market, bar, restorant, institucion shërbimi duhet të ishte i pajisur me alkool apo xhel  dezinfektues.

Ndonëse ditët regjistronin sërish vdekje dhe të infektuar, muajt e verës do të sillnin shpengimin e marrjes më lehtë të masave. Ja që armiku nuk paskësh qenë aq i rrezikshëm nën shezlongë buzë detit, ku jo domosdo të gjithë respektonin metrat e distancimit social!Mjekë, shkencëtarë, ekspertë të OBSh-së bënë parashikime për një valë të dytë të pandemisë botërore me emrin Covid-19, ndërsa liderë botërorë infektoheshin nga vala e parë, që megjithëse u tkurr, nuk mbërriti në një fund.

Por me gjithë rrezikun “ante portas” të një izolimi të ri, jeta u duk se hyri në rutinën e saj me kthimin e nxënësve dhe studentëve në shkolla e universitete – padyshim me maskat e detyrueshme në fytyrë.Shtimi i infektimeve në Milano, apo ndryshe epiqendra europiane e koronavirusit, çoi në vendimin e ri të qeverisë italiane për mbajtjen e maskave gjatë gjithë kohës dhe shkelja e këtij rregulli do të çojë në gjoba deri në 1 mijë euro.

“Nga sot e tutje, maskat dhe mjetet mbrojtëse duhet të jenë me ne, kur dalim nga shtëpitë. Duhet t’i mbajmë gjatë gjithë kohës, përveçse nëse jemi në rastet e izolimit të vazhdueshëm”, deklaronte kryeministri italian Conte, i cili ndërsa në muajt e parë të pandemisë fitoi simpatinë e bashkëqytetarëve të tij që e panë si një at’ të kujdesshëm për kombin, ka mbjellë zemëratën e shumë të tjerëve, që u mblodhën të shtunën në Romë për të protestuar kundër këtyre masave shtrënguese.

Protesta në Britani

Në Tiranë, kryeministri Rama i cili qysh prej shpërthimit të pandemisë i ka pasur sytë nga fqinjët, duke i përshtatur masat e tyre në forma më të ashpra e drakoniane (Italia nuk e pushoi kurrë transportin publik e as nuk vuri orare për daljen për psonisje edhe pse mesazhet  me megafon të forcave të rendit që inkurajonin qytetarët të mos dilnin nga shtëpitë i ngjante një shtetrrethimi të vërtetë), lajmëroi se maskat do të jenë të detyrueshme edhe në rrugë duke nisur nga e enjtja.

“Maska nuk ka qenë as këtu dhe as në shumë vende pothuajse e detyrueshme jashtë, nuk është konsideruar as e domosdoshme. Nga java e ardhshme maska do jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, restoranteve, barit ku je ulur”, deklaronte kreu i qeverisë shqiptare duke pohuar edhe qëndrimet shpesh kontradiktore të qeverisë, por edhe ekspertëve të shëndetit se maskat nuk kryenin asnjë funksion mbrojtës në mjedise të hapura.

Por të paktën, me këto kohë të vështira që ekonomistët e të gjithë botës e kanë etiketuar pa mëdyshje si “Depresioni tjetër i Madh”, madje me pasoja edhe më katastrofike se ai i viteve ’30, biznesi i maskave lulëzon.Në Itali, Instituti i Lartë i Shëndetit i ka hapur rrugën prodhimit më të madh të maskave, që në muajin gusht. Fatlumja është “Fca Italy spa”, grupi automobilistik në pronësi tëJohn Elkann. Një investim i rëndësishëm, që i lejon kësaj shoqërie të prodhojë  27 milionë maska kirurgjikale në ditë, duke mbuluar e vetme më shumë se gjysmën e nevojës së përditshme kombëtare. Në total janë pesë koncesionet e këtij instituti për prodhimin e maskave të destinuara për të rriturit dhe dy për fëmijët.

Kryeministri italian Conte me kompaninë e Elkan

Në kryeqytetin shqiptar akuzat vijnë nga Lëvizja Socialiste për Integrim që thotë se vendimi i Ramës për mbajtjen e maskës edhe në rrugë, është lobuar nga kompani private, të cilat kanë prodhuar miliona maska dhe iu kanë mbetur pa shitur.Kundër vendimit të kryeministrit ka dalë edhe Partia Demokratike, e cila në një postim në rrjetet sociale shkruante “Jemi me fat që ‘Murtajën’ e ka shkruar Albert Kamy. Jemi pa fat që po bëhemi ‘Kurbani’ i marrëzisë së këtij skizofreni. Por, ky kapitull ndjellakeq i gogolit të Facebook po merr fund. Tani askush nuk i beson dot më luftës imagjinare që një herë e sfidon me maska e një herë me demagogji rrjetesh sociale”.

Kryeministri është kujdesur të theksojë edhe sesi do të bëhet vjelja e gjobave. “ Gjoba do të vendoset tek fatura e dritave dhe nuk do të mund ta anashkalojë dot askush. Gjoba duhet të jetë e fundit dhe nuk duhet të jetë gjoba ajo pse njerëzit duhet të mbajnë maskën’, është shprehur kryeministri pa e specifikuar sesi do të gjobiten qytetarët në shkelje dhe sesi do të bëhet identifikimi me faturat e dritave, ku një pjesë e mirë në kryeqytet jetojnë në shtëpi me qira – dhe këto shpesh të parregulluara me kontrata  - apo studentët që  jetojnë në konvikte.

Protesta në Itali

“Atëherë ajo do të rëndojë në ekonominë shqiptare nëse për shëndetin fjalët nga një vesh ju hyjnë dhe nga tjetri ju dalin. Policia Bashkiake do të merret me këtë. Të gjitha bizneset duke ua hequr nga qafa ata inspektorë që ndryshe nga shumica prej tyre shkatërrojnë këto marrëdhënie dhe cenojnë në autobusë, në makinë, në trotuar, në sheshe, në park, në rrugë e patolerueshme mosmbajtja e maskës. Nëse në biznese gjoba vendoset në rrugë tradicionale, për individët do të vendoset tek fatura e dritave”, ka përmbyllur kreu i qeverisë, i cili në maj të këtij viti mori vendimin e faljes së të gjitha gjobave të vendosura në karantinë për qytetarët që guxonin të lëviznin pa pasur leje të posaçme apo ndonjë motiv të madh për ta bërë.

Për të bindur se një karantinë e dytë do të ishte e vështirë për ekonominë dhe për shtetin, kryeministri Rama ka folur se shqetësimet janë përhapur në të gjithë Europën.Kjo vihet re edhe nga masat shtrënguese të udhëtimeve nga shteti në shtet.Pak ditë më parë, Rama tha se është shënuar edhe numri më i lartë i infektimeve në botë, gjë që flet për rrezikun nga një anë por edhe e parashikuar duke marrë parasysh se vjeshta sjell arsenalin e virozave dhe gripit të zakonshëm, duke i bërë njerëzit edhe më brishtë nga infektimet.

Protesta kundër maskave në Paris

Por me gjithë rastet e shtuara, në Europë kanë ardhur edhe protestat kundër përdorimit të maskave edhe në mjedise të hapura, publike.  Më 29 gusht, parisianët u mblodhën në protestë dhe organizatorët kanë parashikuar të tjera në tetor, në Normandi dhe Lion.  

“Po mbi ç’ligj detyrohen të moshuarit të vdesin nga vetmia? Mbi ç’ligj ndalohen mbledhjet familjare?, protestonte  një prej organizatoreve të protestave në Paris.  Me mijëra në kryeqytetin gjerman, Berlin protestuan në fund të gushtit kundër shtrëngimeve të masave ndaj koronavirusit, ku përfshihet detyrimi për ta mbajtur maskën në mjedise të hapura publike dhe ku ndalohet grumbullimi mbi 50 vetë. Sipas demonstruesve mbajtja e maskave dhunon të drejtat dhe liritë e tyre.

Më herët në gusht, me mijëra spanjollë u mblodhën në Madrid kundër asaj që e cilësuan “ligji i maskave”. Në  Kanada, Britani dhe Australi ka pasur gjithashtu protesta kundër mbajtjes së maskave , ndërsa në ShBA  përtej protestave për dhunimin e të drejtave dhe lirive, ccështja është bërë politike. 

Mbajtja e saj është bërë katalizatori i konfliktit politik, një arenë ku provat shkencore shihen me lentet e partizanshmërisë. Shumica e demokratëve mbështetin mbajtën e maskave më shumë sesa republikanët,  sipas një anketimi të fundit nga Qendra Kërkimore “Pew”.  Në 34 shtete të Amerikës mbajtja e maskës është e detyrueshme, ndërsa anketimet tregojnë se shumica e amerikanëve do ta mbështetin detyrimin edhe në rang kombëtar.Por ata që nuk janë dakord, ngulin këmbë se nuk janë kundër maskave, por kundër masave detyruese. “Nëse do të infektohem me Covid e do të vdes prej tij, atëherë kështu qoftë”, thoshte një protestuese në ShBA.

Protesta në ShBA. "Mos e lër maskën të të bëhet gojëz"

Edhe në Tiranë është paralajmëruar protestë para kryeministrisë të enjten, kundër mbajtjes së maskave në mjedise të hapura. "Të Enjten Protestë 18:00, para Kryeministrisë!" Nëse do një pamje të së ardhmes tënde, ajo është një çizme e ngjeshur mbi fytyrën tënde!" "1984" - George Orwell", thuhej në lajmërimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

Shumë nga ata që janë kundër masave detyruese për mbajtjen e maskave  bëjnë thirrje për rezistencë  përballë “diktaturës së shëndetit” për të mos u bërë “dele”. Duke iu kthyer edhe njëherë masave të qeverisë shqiptare për të mbajtur maskat edhe jashtë  dhe gjobitjen e shkelësve, të vjen edhe njëherë ajo ndjesia që na kaploi gjatë karantinës se ishte krijuar një shoqëri aq e përsosur dhe ideale sa krimet e vetme ishin ato të atyre që shëtitnin rrugëve pa autorizim dhe pa maskë.A do të reshtin krimet e tjera, beftë, për t’i mobilizuar forcat e rendit, qofshin këto të policisë së shtetit apo asaj bashkiake në kontrollin dhe gjobitjen e atyre që guxojnë të rrinë në vende të hapura pa maska? Apo nëse do të guxonim të shkonim pak më tutje me konspiracionin; a mos vallë është ky testi i madh i demokracive, me dakordësinë e qeverive për të parë se cila shoqëri do t'i pranonte menjëherë shtrëngimet e cila do të rebelohej për të rivendikuar liritë dhe të drejtat themelore?

Protesta në Australi

Nëse ata që kryenin “krimmendim” apo mendim të dyfishtë” në shoqërinë totalitare të Oruellit nuk i shpëtuan  syrit të Vëllait të Madh që vëzhgon gjithçka, aq më pak do t’ia hedhin ata që dalin pa maskë në mes të një mase të maskuarish. Ndoshta pas ca kohësh, ku të gjitha këto shtrëngime në emër të jetës dhe të shëndetit dhe ku ai që rebelohet shihet si  një “vrasës potencial në masë” , njerëzit si heroi i Oruellit do të pyesin veten sesi ishte jeta para se koronavirusi dhe qeveritë e botës do ta ndryshonin,  duke përdorur izolimin dhe shpërfilljen e të drejtave të tjera e lirive themelore pikërisht për të shpëtuar  shëndetin e njerëzimit. Pamjet e diktatorit Kim Jong Un në lot, kur pranon se ka dështuar me Covid-in turbullon edhe më tej mendjet skeptike e konspiraciniste. Edhe diktaturat si ajo e Koresë së Veriut tashmë e kanë pranuar realitetin e koronavirusit.

Por askush nuk po kujdeset për shëndetin mendor të njerëzimit, në këto kohë lufte të pashoqe ndaj së cilës bota po lufton pa fituar ende një betejë të madhe. Por nëse do na duhet të  zgjidhnim mes maskave dhe karantinës, do të bënim kompromis me të parën, sepse në fund të fundit përmes kontratës sociale i kemi legjitimuar qeveritë dhe përmes demokracive, ua kemi dhënë të drejtën e përfaqësimit në qeverisje, që sot të thonë se e dinë mirë, ç’është në të mirën tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë