Policia e Shkodrës ka goditur një rast të krimit kibernetik, duke arrestuar një 19-vjeçar i cili nëpërmjet profileve false në rrjetet sociale mashtronte qytetarët për të marrë ndihma financiare.
Së fundmi, ai u pikas teksa kërkonte ndihmë 25 mijë euro, ndërsa personi për të cilin po kërkohej kjo ndihmë nuk kishte lidhje e njohje me 19-vjeçarin.
“Pas një hetimi disamujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota dhe të shpejta në lidhje me kallëzimin e marrë nga një shtetas, në cilësinë e administratorit të një fondacioni bamirës, për veprën penale ‘Mashtrimi kompjuterik’, pas konstatimit se një profil në rrjetet sociale kërkonte një ndihmë financiare prej 25.000 eurosh, në emër të një shtetasi që kishte probleme shëndetësore, ndërkohë që ky shtetas nuk kishte njohje me emrin e shtetasit që paraqitej në profilin e rrjetit social”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kallëzimi për këtë rast erdhi nga administratori i një fondacioni bamirës.
Policia thotë se ka vënë në pranga shtetasi J. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. P., 22 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Më pas, 19-vjeçarit iu zbuluan edhe 10 profile false ndërsa në banesë iu sekuestruan 2 celularë, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare.
Ndërkohë, policia thotë se po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.