Ka ndodhur

Masat anti-Covid/ Gjobiten me 5 milionë lekë Edmond Spaho dhe kreu i FRPD

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Edmond Spaho është gjobitur me 5 milionë lekë gjobë nga policia, pasi akuzohet se ka thyer rregullat anti-covid.

Bëhet fjalë për një aktivitet që sipas policisë është organizuar në Devoll.

Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i lokalit, shtetasi S. Gj., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit të tij, duke shkelur Aktin Normativ.

Ndërkohë, policia ka gjobitur me 5 milionë lekë kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, për shkelje të rregullave anti-Covid.

Gjoba i referohet një takimi që ka pasur Këlliçi me banorët e Kombinatit, tre ditë më parë, për të cilin policia thotë se është mbajtur në ambient të mbyllur dhe me më shumë se 10 persona të pranishëm, në kundërshtim me rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Në një postim në rrjetet sociale, ku ka postuar edhe fletën e gjobës, kreu i FRPD thotë se “gjobat janë vetëm për opozitën. Janë për këdo që i bën opozitë urdhrave të Ramës”.

Ndër të tjera, Këllici hedh akuza ndaj Ramës dhe ministrave të tij për takimet që realizojnë në këtë kohë pandemie.

“Edi Rama i pari, dhe banda e tij me në krye Veliajn, Spiropalin, Ballukun, po organizojnë takime me punonjës të administratës, me pjesëmarrje 100-200 vetë, ku Policia kujdeset vetë për organizimin, që nga vendosja e karrigeve deri te listë-prezenca e duartrokitësve. Rama ik edhe 66 ditë”, ka shkruar ai në fletën e gjobës.

Fleta e gjobës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë