2 mijë e 673 qytetarë janë ndëshkuar gjatë fundjavës për moszbatim të masave antiCovid.
Policia njofton se 2 mijë e 594 prej qytetarëve të gjobitur janë ndëshkuar për mosvendosje të maskës mbrojtëse.
Ndërkohë sa i përket orës policore, u ndëshkuan 73 qytetarë që e shkelën karantinën pas orës 20:00 si dhe 6 administratorë subjektesh me nga 1 milion lekë pasi nuk zbatuan protokollet e sigurisë.
“Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me masë administrative 331 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 63 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 20:00”, vijon njoftimi i policisë.
Ndër të tjera, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.