Lajme

Masakra e Vlorës, Gjykata lë në burg Ridvan Zykajn

Gjykata e Vlorës ka vendosur për masakruesin e fshatit Resulaj, Ritvan Zykajn, masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ritvan Zykaj mbërriti sot para Gjykatës në orën 11:00 për t’u njohur me vendimin e tij lidhur me masën e sigurisë për të cilën rëndon akuza e “Vrasje e cilësuar e dy ose më shumë personave”.  

Nga pamjet Zykaj u duk mjaft i qetë dhe gjakftohtë si dhe nuk shfaqte shenja pendese për vrasjen e 8-fishtë.

Ndërkohë gjatë futjes së tij në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie dëgjohej thirrja: I pashpirt. Banorë të revoltuar të pranishëm në ambientet  e Gjykatës kishin postera në duar me mbishkrime: Dënim me vdekje për kriminelët.

Mbi 15 avokatë refuzuan të mbrojnë Ritvan Zykajn. Me ndërmjetësim të kreut të gjykatës, u caktua avokati Renato Mehmetaj.  Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku të pranishëm ishin gjyqtarja Esmeralda Habilaj dhe prokurori i çështjes Saimir Smaka. Asnjë prej familjarëve të 24-vjecarit, i konsideruar si monstra e fshatit, nuk ishte i pranishëm në procesin gjyqësor.

Ritvan Zykaj është marrë në pyetje edhe nga gazetarët pse e kreu krimin, por gazetarët nuk marrin asnjë përgjigje, vetëm heshtje.

Zykaj vrau me kallashnikov disa ditë më parë tetë kushërinjtë e tij për motive të dobëta. Menjëherë pas kryerjes së krimit, 24-vjeçari u largua nga vendngjarja për t’u kapur nga policia 12 orë pas kryerjes së krimit.

Ngjarja e ditës së premte ishte ndër më të rëndat vitet e fundit në Shqipëri. Krimi makabër ka tronditur edhe mediat ndërkombëtare. Ajo që i kalonte kufijtë e imagjinatës ishte moshezitimi i tij për të përdorur rrjetet sociale, duke sfiduar edhe policinë.

Familjarët e tij kanë braktisur fshatin, ndërsa gjyshi i tij, Kujtim Zykaj, ka shkuar pranë familjes së vëllait të masakruar.

 

Më Shumë