Lajme

Masakra e Selenicës, prokuroria kërkon burg përjetë për autorin

Prokuroria ka kërkuar sot dënimin me burg të përjetshëm për Ritvan Zykajn, të riun që vrau 8 kushërinjtë e tij në Selenicë të Vlorës.
Dosja e tij tashmë i është përcjellë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, prej datës 8 janar të vitit 2018, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet në fillim të muajit mars.
Gjithçka deri më tani është ndjekur nga prokurori Saimir Smaka, i cili është edhe prokurori i çështjes, ndërsa konfirmohet se tashmë dosja i ka kaluar gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
Mësohet se për ngjarjen në fjalë, ndaj autorit nuk do të ketë gjykim të shkurtuar, i cili nuk parashikohet më në ligj, i ndryshuar në kod prej vitit 2017, në rastet e kryerjes së Krimeve të Rënda.
“I vrava se ata më akuzonin për grabitjet e pulave. Më akuzonin shpesh. Kemi pasur edhe konflikte të tjera edhe më përpara, pikërisht për këtë fakt. Ata vazhdimisht më akuzonin vetëm mua për grabitjet. Edhe më përpara kemi pasur konflikte, jo vetëm para vrasjes”, është shprehur 24-vjeçari gjatë marrjes në pyetje nga prokurori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë