Lajme

Masakra e Vlorës, në pranga autori i krimit

Mëngjesin e sotëm është kapur autori i ngjarjes makabre që tronditi mbarë vendin.

Vrasësi i 8 personave, Ritvan Zykaj, është kapur në afërsi të banesës ku kreu krimin.  Ai u kap pas më shumë se 12 orësh kërkime nga forca të shumta policore në të gjithë Selenicën. Rreth 3 km larg nga banesa e tij në vijë lineare, është gjetur i fshehur në shkurre, po ashtu iu gjet edhe arma e krimit, por ajo që bie në sy është se autori i krimit duket i qetë, megjithëse kreu veprën monstruoze.

Gjatë kohës që forcat policore po kontrollonin  pa ndërprerje gjatë gjithë natës, Ritvan Zykaj ndonëse ishte në arrati nuk hezitoi të përdorte edhe rrjetet sociale, duke komentuar me qytetarët shqiptarë, të cilë kërkonin dënimet nga më makabret për të. 

Vetëm pak minuta para se të binte në prangat e policisë ai ka bërë një koment edhe për kryeministrin Rama.

“O Edi Rama a më gjen dot ku jam?”, ka shkruar ai me ironi në një koment.

Mirëpo pas këtyre profili i tij në “Facebook”është mbyllur. Një gjë e tillë mund të jetë bërë nga policia ose nga raportimet e faqes.

Ngjarja

Ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik kishte nisur para 5 vitesh kur familja Zykaj kishte akuzuar autorin e krimit, se i kishte vjedhur 5 pula deti.

Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur debate të shumta dhe siç duket 24-vjeçari nuk e ka përtypur dot këtë akuzë, ndërsa vendosi që të hakmerrej në mënyrën më monstruoze, duke shuar dy familje. Debati më i fundit mes autorit dhe familjes Zyka kishte ndodhur vetëm para pak ditësh për bagëtitë.

Ndërkohë, dje i riu bashkë me familjen e tij, (jetonte me prindërit, motrën dhe vëllain) kishin qenë në një drekë familjare tek një kushëriri i tij, pasi ky i fundit ishte kthyer nga emigrimi. Teksa dyshohet se ka qenë në efektin e alkoolit, i riu është ngritur më herët se familja e tij nga dreka, ndërsa është drejtuar për në shtëpi.

Ritvan Zykaj ka rrëmbyer kallashnikovin dhe ka hyrë në banesën e Demir Zykajt, vëllait të gjyshit të tij (familja me të cilën kishte konflikte) dhe ka hapur zjarr, duke e lënë të vdekur.

Pas tij ka vrarë edhe gruan e Demirit, bashkë me djalin dhe nusen e tij. Por Ridvani nuk është ndalur me kaq. Pasi ka dalë nga banesa e parë, i është drejtuar tjetrës ngjitur, ndërsa ka qëlluar ndaj djalit të Demirit, gruas së tij dhe dy fëmijëve të mitur, 17 dhe 9 vjeç. Fill pas krimit të rëndë, që la pas 8 të vdekur, autori është larguar bashkë me armën.

VIKTIMAT:

1- Demir Zykaj, 75 vjeç (Vëllai i gjyshit të autorit)

2- Ferie Zykaj, 72 vjeç, (Gruaja e Demirit)

3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i Demirit)

4- Vasilika Zykaj, 40 vjeç (Gruaja e Besimit)

5- Sara Zykaj, 17 vjeç (Vajza e Besimit)

6- Ledjon Zykaj, 6 vjeç (Djali i Besimit)

7- Azem Zykaj 49 vjeç (Djali i Demirit)

8- Afërdita Zykaj 47 vjeç (Gruaja e Azemit)

Dëshmia  e prindërve:

Pas ngjarjes makabre, prindërit e 24-vjeçarit janë shoqëruar në Policinë e Vlorës dhe  kanë konfirmuar para hetuesve se njëra nga gratë e mbetura viktimë e kishte fyer djalin e tyre, duke e akuzuar për vjedhje. Ata mësohet të jenë shprehur gjithashtu se në shtëpinë e tyre nuk kanë pasur armë dhe se nuk e dinë ku e gjeti djali armën vrasëse kallashnikov.

Dëshmia e të afërmit:

Ndërkohë një i afërm ka deklaruar se kjo nuk është hera e parë që 24-vjeçari është parë me armë.

Sipas tij, më herët Zykaj dhe shokët e tij kanë dalë në fshat me armë dhe si pasojë janë ndaluar nga policia. Deklarata e të afërmit ka rrëzuar kështu atë të prindërve, të cilët kanë deklaruar përpara grupit hetimor se në shtëpinë e tyre nuk kanë pasur armë dhe se nuk e dinë ku e gjeti djali armën vrasëse kallashnikov.

Dëshmia e Ritvan Zykajt në Polici:

Mësohet se autori i krimit monstruoz ka folur në DVP-në e Vlorës me tone ironike.

Ashtu siç bëri në rrjetet sociale gjatë kohës kur ishte në arrati, të njëjtën gjë duket se 24-vjeçari ka bërë edhe sot në polici. Në këto kushte burime nga policia bëjnë me dije se autori nuk duket me probleme mendore.

“Më arrestuan shumë vonë”, mësohet të ketë thënë ai duke e parë të gjithë ngjarjen e ndodhur si triumf të tij ndaj policisë.

Dëshmia rrëqethëse e gjyshit të autorit:

Kujtim Zykaj, gjyshi i Ridvan Zykajt tregon momentet e tmerrit kur gjeti të vrarë familjen e vëllait. Mes lotësh i moshuari rrëfen se 24-vjeçari ishte në shtëpinë e tij duke drekuar para se të ndodhte ngjarja. Më pas ai është ngritur nga tavolina më herët. Gjyshi e kishte pyetur ku po shkon dhe 24-vjeçari nuk i kishte kthyer përgjigje.

Siç tregon i moshuari si duket i kishte studiuar lëvizjet e nipit dhe ishte nisur pak pas tij. Në atë moment ai ishte nisur në drejtim të banesës ku ndodhi ngjarja e rëndë dhe rrëfen se si gjeti vëllanë dhe familjarët e tij të vdekur.

“Për të më bërë gropën mua e bëri gjithë këtë. Erdhën te shtëpia ime dhe atje bëmë drekë. U ngrit më para dhe unë se kuptova iku më parë nga i ati dhe ëma. I thashë ku do vesh. Iku erdhi këtu. Unë vija gjithmonë dhe llafosesha me byrazerin. Dëgjuam llamarinant, një zhurmë. Iku djali me nusen. Vij unë këtu dhe nuk shoh njeri. Pashë tim vëlla të vrarë me kokë poshtë. E mora atë e ujdisa dhe kunatën. U ktheva këtej gjeta nipin të vrarë me të shoqen. Më e rëndë ishte kur gjeta të voglin. Erdha këtu më vonë nuk dija nga ç’të bëja, ulërisja kot njeri nuk më dëgjonte. Mblodha trupat. Jo nuk ka pasur debate. Del nashi sikur është i pirë. Ai piu një birrë në tavolinë dhe njërën e mori me vete. Unë nuk jetoj me Ridvanin, jetoj me djalin tjetër”, tha ai. 

Ndërkohë, sot dhimbja e thellë ka pllakosur gjithë fshatin Resulaj. Banorët janë mbledhur në banesat e 8 viktimave për t’u bërë atyre nderimet e fundit. Banesa e autorit është e braktisur. Disa pula ndodhen në oborrin e banesës, e rrobat janë akoma të ndera, të lëna ashtu që pas momentit kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Mësohet se familjarët e Ridvanit janë strehuar tek të afërmit e tyre në një fshat tjetër pas dhënies së dëshmisë në polici. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë