Drejtësia

‘Masakra e Lushnjës’, miqtë e Laert Haxhisë nuk merren dëshmitarë

Gazeta Si - Gjykata ka refuzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Leart Haxhisë për marrjen në pyetje si dëshmitarë të Orges Bilbilit e Anterio Kaloshit, të dy miq të Haxhisë dhe të dënuar me burg përjetë, në procesin ku ai akuzohet për të ashtuuajturën "masakra e Lushnjës".

Gjykata nuk pranoi pyetjen e tyre me arsyetimin se nuk është bërë në momentin e duhur procedural.

Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 29 shkurt, ku do të njoftohen tre dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes.

Laert Haxhiu është duke u gjykuar në mungesë për atë që njihet si "masakra e Lushnjës", ngjarje e ndodhur në shtator 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet se ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, u arrestua në Greqi në maj të vitit 2023.

Haxhiu qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Pas ndalimit në Janinë, Interpol Athina i dërgoi të dhënat autoriteteve shqiptare, që bënë identifikimin e tij.

LEXO EDHE:
- 6 vrasjet (2 në Greqi) që zbuloi bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani për llogari të grupit të Laert Haxhiut
- Video / Si u arrestua Artan Tafani në një hotel, i penduari që shkatërroi grupin e Laert Haxhiut

Bilbili dhe Kaloshi mbrëmjen e 11 tetorit të 2017 u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës në një lokal në Lushnjë.

Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën ndërsa shënjestra e atentatit Xhulio Shkurti, mundi të shpëtonte.

Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili dhe Kaloshi akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ si dhe ‘Prishja e qetësisë publike’.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës.

Ndërkohë Orgest Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar në kohën e pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë