Rend dhe Ligj

Masakra e Lushnjës në 2017, arrestohet në Greqi Laert Haxhiu, i dënuar me 18 vite burg

Gazeta Si - Laert Haxhiu, një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë shqiptare, është arrestuar në qytetin e Janinës në Greqi. Organizatori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, është i dënuar nga gjykata me 18 vjet burgim dhe njihet si rival i bandës së Aldo Bares.

Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se arrestimi i Laert Haxhiut është bërë me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

32-vjeçari u vu në pranga gjatë operacionit “Eksponenti” pas shkëmbimit të informacionit mes strukturave të Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

LEXO EDHE:
Çfarë gjeti policia në shtëpinë e të kërkuarit të veshur me luks Orgest Bilbili

Haxhiu, nga Lushnja u kap në Janinë me leje qëndrimi greke të falsifikuar me identitetin Mikis Askalidis, 32 vjeç lindur në Gjeorgji.

Laert Haxhiu është dënuar me 18 vite burgim nga gjykata në vitin 2017 për masakrën e ashtuquajtur të Lushnjës, ku mbetën të vrarë 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.

Ai akuzohet për veprat penale vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, në Lushnjë në 2017.

Dy bashkëpunëtorët e Haxhiut, mbrëmjen e 11 tetorit 2017, u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipi e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës në një Lokal në Lushnjë.

Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën, ndërsa shënjestra e atentatit Xhulio Shkurti mundi të shpëtonte.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës.

Ndërkohë, Orges Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë