Drejtësia

GJKKO vendos ‘arrest shtëpie’ me polic te dera për ish-kryeministrin Sali Berisha. Mbrojtja ka 5 ditë kohë të apelojë

Gazeta Si - GJKKO ka miratuar këtë të shtunë masën e sigurisë “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore te dera për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e SPAK, për masë më të ashpër sigurie për Berishën, se sa ajo “detyrim paraqitje”, të cilën ish-kryeministri nuk e zbatoi.

Në vendimin që mban firmën e gjyqtares Irena Gjoka, Berisha duhet të mos largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të. Po ashtu, gjykata ka vendosur që të pranojë kërkesën e SPAK që Berisha të mbikëqyret nga policia.

Vendimi i zbardhur

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Mbrojtja e ish-kryeministrit ka pesë ditë kohë për t’u ankuar ndaj vendimin pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Seanca

Pas shtyrjes së vendimit disa herë gjatë javës, GJKKO dha vendimin këtë të shtunë. I pranishëm në seancë nuk ka qenë i pranishëm Berisha, por ai u përfaqësua nga avokatët e tij.

Më herë avokatët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke pretenduar se ajo ishte në konflikt interesi.

Ndonëse seanca e së enjtës, e treta në radhë, u shty për t'i dhënë kohë avokatëve për të depozituar kërkesën, ajo nuk mbërriti në gjykatë deri në orën 16:00 të së premtes.

SPAK e ka kërkuar këtë masë, pasi thotë se Berisha nuk ka zbatuar detyrimin për t’u paraqitur i caktuar në tetor ndaj tij, pasi është nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportive “Partizani”.

Organi i akuzës vendosi kështu ashpërsim të masës në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore duke i hequr edhe të drejtën e kontakteve.

Nga ana tjetër, avokatët kanë pretenduar se masa e parë ndaj Berishës është antikushtetuese sa kohë doli pa lejen e Kuvendit.

Gjithashtu, ata konsiderojnë se kërkesa e SPAK për mbikëqyrje policore dhe mungesë të komunikimeve është jo ligjore.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë