Njerez

Marshim sensibilizues kundër kancerit të gjirit, YWCA: Kemi depozituar në Kuvend propozime për të lehtësuar kostot financiare për të prekurit

Nga Gazeta ‘Si’-“Marshojmë sot për një kauzë të fortë, marshojmë për luftën kundër kancerit të gjirit.”

Me këtë slogan marshuan sot qytetarët në Sheshin “Nënë Tereza”, duke dhënë një mesazh të fortë për rëndësinë që ka kontrolli për të parandaluar kancerin e gjirit.

Burra dhe gra ishin të pranishëm në shesh, ku ngjyra rozë ishte mbizotëruese. Prej 15 vitesh Organizata YWCA organizon fushata ndërgjegjësuese për gratë, por dhe në ndihmë të grave të prekura nga kanceri.

Në Shqipëri rreth 5 mijë gra jetojnë me sëmundjen e kancerit të gjirit, i cili prej vitit 2015 është rritur sipas statistikave të ISHP, me rreth 9%.

Eksperti i shëndetit publik Alban Ylli ka thënë më herët për Gazetasi.al se në vitin 2022 u diagnostikuan 710 gra me kancer të gjirit në të gjithë vendin ose 50.7 për 100,000 gra me një rritje prej rreth 9% krahasuar me vitin 2015.

Sipas të dhënave të regjistrit kombëtar të kancerit të gjirit, prej vitit 2017 numri i rasteve të reja të diagnostikuara për herë të parë në të gjithë vendin ngelet rreth 710-720 në vit.

Por kanceri i gjirit është përgjegjësi kryesor i vdekjeve nga kanceri tek gratë, me rreth 16% të të gjitha shkaqeve të sëmundjeve tumorale dhe 6% ndaj totalit të vdekjeve nga tumoret.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP, në vitin 2022 u regjistruan vetëm 192 vdekje nga kanceri i gjirit ose 13.7 per 100 mijë gra. Ndërsa në vitin 2021 pati 225 vdekje (15.9 për 100 mijë gra). Por raporti i fundit i KLSH për aktivitetin e spitalit onkologjik në QSUT zbuloi situatë të rëndë që lidhej me mungesë shërbimesh dhe përcaktimi të shpejtë të diagnozës, çka ka ndikuar në rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacienteve të prekura me tumor të gjirit.

Donika Goda, drejtoresha ekzekutive e YWCA, ka kërkuar që të lehtësohen kostot financiare për një grua që përballet me kancerin e gjirit.

“Tetori rozë është dhe duhet të mbetet një muaj për të ndërgjegjësuar por edhe për të kujtuar sfidat dhe për vështirësitë që gratë me kancerin e gjirit preken. Sigurisht edhe për të kërkuar llogari që atyre t’i plotësohet maksimumi. Ky ka qenë dhe mbetet qëllimi i YWCA-së. Kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë disa propozime për të lehtësuar kostot financiare për pacientet me kancerin e gjirit. Ju bëj me dije se jemi në pritje për lajme të mira në këtë drejtim”, thotë Goda.

Në 15 vjetorin e YWCA  u ndanë dhe çmime për të gjithë ato gra e vajza që u ofruan dhe kontribuan secila në mënyrën e saj në ndihmë të grave në luftën kundër kancerit të gjirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë