Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, me të cilin ka diskutuar për më shumë se dy orë, duke i hapur rruge, sipas burimeve paraprake, nje marreveshje te mundshme.
Te merkuren Basha arriti marrëveshjen me kreun e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, foli te merkuren paradite pas takimit një orësh me kreun e PD, Lulzim Basha, prej ku tha qartë se nuk ka asnjë dyshim që do të ketë marrëveshje mes tyre. Idrizi tha nga selia blu se po bëhet një diskutim i gjerë mes PD dhe partive aleate për të përcaktuar valencat.
“Janë diskutime që bëhen për të përcaktuar valencat, por edhe sinergjitë e nevojshme. Nuk ka asnjë dyshim që PDIU do të jetë në krah të PD dhe do të ketë një marrëveshje, kjo është e qartë dhe nuk ka dyshim. Ne po bëjmë një dyshim shumë më të gjerë se sa kaq. Kjo është një listë e opozitës së bashkuar.
Ne po vendosim piketat në ato zona ku PDIU ndihmon për të prodhuar mandate për listën e opozitës së bashkuar. Sigurisht që edhe për PDIU, edhe për partitë e tjera, është dizenjuar një marrëveshje, do të ketë një moment të nënshkrimit të saj. Ndaj dhe them që nuk ka dyshim që do të ketë një marrëveshje. Nuk bëhet fjalë për vende të sigurta apo të pasigurta, por për pozicione, ku valenca e PDIU është e qartë dhe ndihmon për mandate”, tha Idrizi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.