Para

Marrëveshja për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi, Sejko: Rënie e ndjeshme, vjet vetëm 343 copë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se ka një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në treg.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për mbrojtjen e monedhave kundër falsifikimit, Sejko shtoi se për vitin 2022 numri total i tyre është 343 copë.

“Janë vetëm aq kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021.

Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim. Treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara”, tha Sejko.

Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar sot mes BSH-së, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme është një përpjekje e mëtejshme për të  forcuar kuadrin institucional dhe për të ruajtur vigjilencën pavarësisht shifrave të ulëta.

“Palët e angazhuara në këtë marrëveshje marrin përsipër të transmetojnë/transferojnë mostra të kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara dhe, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë angazhohet të centralizojë ekspertizën dhe klasifikimin e mostrave të monedhave kombëtare apo të huaja të zbuluara në qarkullim”, tha Sejko.

Ai gjithashtu shtoi se në të njëjtën kohë BSH-ja ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore Europiane për shkëmbimin e informacionit në fushën e mbrojtjes së kartëmonedhës Euro nga falsifikimi.

Ndërsa ministri i brendshëm Bledi Çuçi theksoi se kjo marrëveshje jo vetëm vjen si detyrim ndaj partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht atyre europianë por edhe godet këtë veprimtari kriminale e cila sipas tij ndikon në destabilitetin e ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë