Politike

Marrëveshja për emigrantët, Kushtetuesja nuk legjitimon padinë e Bashës (ndërkohë pakti mbetet i pezulluar)

Gjykata Kushtetuese nuk e ka legjitimuar padinë e PD zyrtare të Lulzim Bashës, për rrëzimin e marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë, për emigrantët.

Ndërkohë, marrëveshja për emigrantët mbetet e pezulluar pas një tjetër padie që çoi grupi paralel brenda PD ai i Bardhit dhe Berishës.

Ditën kur Kushtetuesja vendosi pezullimin e marrëveshjes, në të njëjtën kohë ajo i kërkoi grupit ‘Basha’ që të plotësonte dokumentacionin, duke qenë se bëhej fjalë për të njëjtën çështje. Pas marrjes se dokumenteve shtesë, Kushtetuesja ka vendosur të mos e legjitimojë si kërkesë.  

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kanë nënshkruar marrëveshjen sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.

Kuvendi i Shqipërisë pritej ta hidhte në votim për ratifikim këtë marrëveshje në një seancë më 14 dhjetor.

Por, Gjykata Kushtetuese reagoi një ditë para së të votohej në Kuvend se kishte “pezulluar automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.

Ky vendim erdhi pasi 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha dorëzuan në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e kushtetuetshmërisë së marrëveshjes dhe pezullimin e procedurave te ratifikimit të saj derisa gjykata të marrë vendim përfundimtar.

Gjykata bëri me dije se shqyrtimi i kërkesës së grupit Bardhi-Berisha do të nisë më 18 janar 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë