Politike

Marrëveshja për emigrantët, Dhurata Çupi: Presidenti i heshtur, jo në lartësinë e detyrës

Nga Gazeta Si - Kur në 18 Janar 2024, në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtohet padia e opozotës kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët, do të krijohet mundësia të kuptohet edhe qendrimi i Presidentit të Republikës. Deri tani, ai ka heshtur, pavarësisht se shumë ekspërtë thonë se marrëveshja Rama-Meloni cënon një nga të drejtat themelore të presidentit. “Presidenti nuk e ka treguar veten në lartësinë e detyrës së tij”- i tha nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi Gazetës Si. Në një intervistë të posaçme, zonja Çupi shpreh pakënaqësi për qendrimin e presidentit dhe i bën thirrje të mos heshtë për këtë çështje me interes kombëtar. Gjithashtu, ajo tregon se ku ndryshon padia e deputetëve të PD nga ajo e kryetarit të PD zyrtare Lulzim Basha, të cilit Gjykata Kushtetuese ia ka kthyer padinë për plotësim dokumentacioni.

Gazeta Si: Tani që Gjykata Kushtetuese vendosi për pezullimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët, mund të bisedojmë pak më qetë për thelbin e kërkesës suaj. Një nga argumentat e kërkesës ishte mosmarrja e autorizimit nga presidenti. A jeni takuar me presidentin për ta diskutuar këtë shqetësim ose për të marrë prej tij një konsideratë apo për t’i kërkuar një qendrim publik?

Dhurata Çupi: Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin, Kushtetuta nuk i linte asnjë hapësirë Gjykatës për të vendosur ndryshe apo për ta kaluar në heshtje. Në lidhje me pyetjen tuaj për Presidentin, ështe diskutuar në grupin tonë parlamentar nevoja për të kërkuar takim me Presidentin për të sqaruar problematikat kushtetuese ligjore të kësaj marrëveshje. Kishte edhe sugjerime që Presidentin ta njihnim me një shkresë sqaruese. Por mazhoranca e përshpejtoi procedurën e dërgimit për miratim në Kuvend dhe, për pasojë, Presidenti ka të gjitha mundësitë që të njihet me problematikat e ngritura nga ne, tani që çështja do të shqyrtohet në themel nga Gjykata Kushtetuese. I bëj thirrje që të mos heshtë, si deri tani. Presidenti duhet të vendosë interesat e Shqipërisë mbi interesat e partisë që e ka votuar President. 

Gazeta Si: Si e shihni heshtjen e presidentit për këtë marrëveshje, megjithëse shumë juristë thonë se është shkelur një nga të drejtat e tij substanciale? 

Dhurata Çupi: Konsultimi, bashkëpunimi dhe marrja e autorizimit nga Presidenti i Republikës për negocime dhe nënshkrime marrëveshjesh ndërkombëtare që lidhen me çështje të territorit dhe të drejtave të njeriut, është një detyrim që rrjedh nga nenet 3, 7, 92, 121 të Kushtetutës dhe nenet 7, 8 të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve. Si për ironi të fatit, partia e cila në vitin 2010, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e një marrëveshje, pikërisht pse nuk ishte marrë autorizimi i Presidentit të Republikës për çështje të territorit, 13 vite më pas negocion dhe nënshkruan një marrëveshje, të cilën Presidenti e merr vesh nga televizori. Përvecse antikushtetuese dhe në kundërshtim me vendimin nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, është edhe një hipokrizi e madhe. Me padinë që kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese, i kemi dhënë edhe Presidentit mundësinë të shprehet, pasi është konsideruar si palë. Presidenti ka bërë betim në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar. Deri tani, nuk shoh që me këtë çështje ai të jetë në lartësinë që i kërkon detyra. 

Gazeta Si: Edhe PD zyrtare, e drejtuar nga zoti Basha depozitoi në të njëjtën ditë me ju një kërkesë të ngjashme. Ka ndryshime thelbësore mes kërkesave tuaja, megjithëse deri tani ajo s’e ka kaluar provën e legjitimitetit nga Gjykata Kushtetuese?

Dhurata Çupi: Kushtetuta (neni 134) dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese (neni 52) parashikon se të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në këtë rast e kanë 1/5 e anëtarëve të Kuvendit, pra 28 deputetë. Mesa di, kërkesa që ju i referoheni është nënshkruar vetëm  nga z.Basha, në cilësinë e Kryetarit të PD, pa patur mbështetje nga deputetët. Në dijeninë time, Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e zotit Basha, duke mos e legjitimuar si kërkues. Ka vepruar drejt. Në rastin e padisë së PS për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, vërtet padia u firmos nga Kryetari Edi Rama, por ai garantonte përfaqësimin nga 64 apo 65 deputetë që PS kishte në atë kohë. Ndërsa zoti Basha nuk mbledh dot firmat as gjysmën e firmave të deputetëve, që duhen për të dërguar një çështje në Gjykatën Kushtetuese. Në lidhje me ndryshimet e tjera, nuk e kam konsultuar të plotë kërkesën e zotit Basha, por nga sa kam parë në media, aty është trajtuar vetëm çështja e plotfuqisë së Presidentit të Republikës. Ndërsa, kërkesa e 30 deputetëve të opozitës përfshin këtë çështje, por edhe një sërë dispozitash të tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, ashtu si edhe detyrimet që ka shteti shqiptar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Konventa e Gjenevës etj. Ne kemi qenë dhe mbetemi kurdoherë të angazhuar për të mbrojtur dhe garantuar interesin kombëtar, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Gazeta Si: Grupi parlamentar i PD ka qenë kundër rritjes së pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mund të ndikojë negativisht në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese?

Dhurata Çupi: Nuk do të mund të imagjinoja një konflikt të kësaj natyre të Gjykatës Kushtetuese me opozitën. E përsëris, është interesi i Shqipërisë. Mbi këtë interes nuk prevalon asnjë interes vetjak. Nëse kjo do të ndodhë, ka shteruar çdo besim te organet kushtetuese përfshirë edhe vetë Gjykatën Kushtetuese. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë