Politike

Rama për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë: Nëse do na e kishte kërkuar një vend tjetër nuk do e pranonim

Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Romë ku merr pjesë në Kongresin vjetor të partisë së Giorgia Meloni-t, Vëllezërit e Italisë.

Gjatë këtij eventi, kreu i qeverisë ka komentuar edhe marrëveshjen e arritur me Italinë, për strehimin e një numri refugjatësh.

Teksa marrëveshja është pezulluar kryesisht nga Gjykata Kushtetuese për t’u shqyrtuar me themel, Rama deklaroi se nëse kërkesa do të ishte bërë nga ndonjë vend tjetër, qeveria shqiptare nuk do ta kishte pranuar.

BE nuk e kupton as origjinën e problemit. Ka një origjinë që është e lidhur me historinë. Duhet punuar për të gjetur zgjidhje që ndoshta nuk janë perfekte, por nuk kuptohet se çfarë bëjnë ata që kritikojnë? Ne kemi pasur kërkesa nga vende të tjera të BE dhe u kemi thënë jo. Vende kushërinj. Italia është vend vëlla, motër.

Sipas Ramës, Italia nuk po kërkon të transferojë problemin në Shqipëri, por “kërkon të zgjerojë hapësirën për ta trajtuar problemin.”

I pyetur se çfarë “fshihet” pas marrëveshjes, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria nuk ka marrë asgjë në këmbim. Përkundrazi, sipas tij, bëhet fjalë për një marrëveshje mirëbesimi mes vëllezërish.

“Kanë folur për gjithçka, por unë u them, që pensionet nuk kanë lidhje sepse marrëveshja për pensionet ka qenë një proces i gjatë dhe është diskutuar  prej vitesh me qeveri të ndryshme. Marrëveshja është që ajo që shihet.”

Kritikat nuk i kurseu as për ata që sipas tij po “bëjnë moral sepse nuk kanë bërë asgjë kur e kanë pasur mundësinë të veprojnë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë