Bota

Marrëveshja me Hamasin, Izrael-SHBA: Lirimi i pengjeve në Gaza nuk nis para të premtes

Nga Gazeta 'Si'-Lirimi i pengjeve bazuar në një armëpushim të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit, nuk do të ndodhë përpara së premtes(24 nëntor), bënë të ditur këshilltari i sigurimit kombëtar të Izraelit dhe SHBA-ja.

Izraeli dhe grupi radikal Hamas ranë dakord herët të mërkurën për një armëpushim në Gaza për të paktën katër ditë për të lejuar hyrjen e ndihmave si dhe lirimin e të paktën 50 pengjeve të mbajtura nga luftëtarët e Hamasit, në këmbim të të paktën 150 palestinezëve të burgosur në Izrael.

Koha e fillimit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve të kapur nga grupi ekstremist palestinez gjatë sulmit të tij më 7 tetor ndaj Izraelit ende nuk është shpallur zyrtarisht.

Një burim egjiptian i sigurisë tha se ndërmjetësit kishin kërkuar që kjo të fillonte të enjten në një orar prej orës 10:00.

“Negociatat për lirimin e pengjeve tanë po vazhdojnë dhe po avancojnë,” tha këshilltari izraelit për sigurinë kombëtare, Tzachi Hanegbi, në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit.

“Fillimi i lëshimit do të bëhet sipas marrëveshjes origjinale midis palëve, dhe jo para së premtes”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se janë duke u përpunuar detajet përfundimtare logjistike për lirimin e pengjeve. “Kjo është në rrugën e duhur dhe ne shpresojmë që të premten në mëngjes të fillojë zbatimi,” tha Watson.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, duke cituar një zyrtar të Izraelit, të paidentifikuar, raportoi se kishte një vonesë 24-orëshe sepse marrëveshja nuk ishte nënshkruar nga grupi ekstremist palestinez Hamas dhe ndërmjetësi Katari. Ai tha se ishin optimistë se marrëveshja do të realizohej pas nënshkrimit.

“Askush nuk tha se do të kishte një lirim nesër, përveç mediave… Ne duhej ta bënim të qartë se asnjë lirim nuk është planifikuar përpara të premtes, për shkak të pasigurisë me të cilën po përballen familjet e pengjeve,” citoi Kan. Kështu thuhet në zyrën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut.

Duke cituar zyrtarë anonimë, mediat izraelite raportuan se pauza në luftimet me Hamasin gjithashtu nuk do të fillonte para së premtes. Faqja e lajmeve Ynet raportoi se Izraeli nuk kishte marrë ende emrat e pengjeve të planifikuar për lirim nga grupi radikal palestinez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë