Politike

Marrëveshja e Prespës zyrtarisht në parlamentin grek

Ndërkohë që parlamenti grek nisi të debatojë mbi marrëveshjen e Prespës në një seancë plenare të Parlamentit të mërkurën, mijëra grekë kanë paralajmëruar se do të mblidhen sërish në qendër të Athinës për të kundërshtuar paktin e arritur nga Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev.

Pasi kaloi pasditen e së martës në komisionin e sigurisë kombëtare, ligjbërësit grekë do të mbajnë një diskutim parlamentar mbi marrëveshjen e emrit, e cila pritet të shkojë për votim të enjten.

Ndërkohë, grupet e qytetarëve që kundërshtojnë marrëveshjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë (IRJM) kanë bërë thirrje për protesta masive. Në një deklaratë, organizatorët e përshkruan tubimin e planifikuar për ditën e sotme si përpjekjen përfundimtare "për të parandaluar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të turpshme". Dhjetëra mijëra grekë morën pjesë në një miting të dhunshëm të dielën, ku paktën 25 oficerë policie u plagosën dhe shtatë persona u arrestuan pas përleshjeve midis policisë dhe protestuesve.

Ekspertët në Athinë thonë se pavarësisht se më shumë se 60% e opinionit publik është kundër kësaj marrëveshjeje, kryeministri Alexis Tsipras pritet të marrë miratimin për ratifikimin e saj, duke i hapur kështu rrugën Maqedonisë për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Përveç 145 deputetëve të majtë të SYRIZA-s, Tsipras duket se ka mjaft opozitarë dhe ligjvënës të pavarur në anën e tij.

Por kryetari i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis tha se partia e tij do të bënte gjithçka që kishte në dorë për të bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlament.

Deklaratat e tij televizive konfirmuan thashethemet se partia konservatore po konsideronte paraqitjen e një mocioni mosbesimi vetëm kundër kryeministrit Tsipras, një hap që do të shtynte ratifikimin e marrëveshjes deri në javën e ardhshme.

Kryetari i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis

Misdotakis tha se ishte e padëgjuar që debati të zhvillohej pa tekstin përfundimtar dhe të ndryshuar të Kushtetutës së Maqedonisë. “Të gjithë deputetët do të mbajnë përgjegjësi historike për zgjedhjet e tyre, tha ai. "Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje e keqe, sepse për herë të parë Greqia pranoi gjuhën dhe identitetin maqedonas të Ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë", theksoi Mitsotakis, duke shtuar se kryeministri Tsipras po “shkel me këmbë” identitetin kombëtar.

Në rast se Demokracia e Re ndjek këtë strategji, miratimi i marrëveshjes së emrit do të shtyhej deri në javën e ardhshme. Ekspertët thonë se opozita po ndërmerr një lëvizjeje të tillë, për t’u treguar qytetarëve se konservatorët morën të gjitha veprimet e mundshme për të ndaluar marrëveshjen, e cila herët ose vonë, parashikohet të “vuloset” nga parlamenti grek.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë