Lajme

Marrëveshja e detit, Kotzias: Me Bushatin mbyllëm gjithçka

Ish-ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias shpreh keqardhjen e tij për largimin nga posti të ish-homologut të tij shqiptar, Ditmir Bushati dhe për pamundësinë e mbylljes së marrëveshjes së kufirit detar me Shqipërinë.

Kotzias shpjegon se thuajse gjithçka ishte drejt mbylljes me palën shqiptare, por mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe problemi në komunikim mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta shkaktuan këtë vonesë.

“Këtë çështje e kishim si pjesë e një pakete. Jo të gjithë ishin dakord që të zgjidhet. Dhe kishim një problem, veçanërisht që marrëveshja mbi ZEE që kishim përgatitur me kolegun tim shqiptar, nuk kishte Gjykatë Kushtetuese në Shqipëri që ta miratojë, - tha Kotzias për shtypin grek. - Domethënë, meqenëse ishte refuzuar marrëveshja e mëparshme nga Gjykata Kushtetuese, duhet të funksiononte Gjykata Kushtetuese që të kalonte aty. Siç di – tani ka disa lëvizje, të shohim -, Gjykata ka 11 anëtarë dhe kishin mbetur vetëm 2. Plus kishte probleme komunikimi midis Ramës dhe Metës”.

Megjithatë, Kotzias tregon se në muajin mars pret të takohet me Bushatin në Pire në një seminar mbi politikën e jashtme të viteve të fundit.

“Bushati u largua nga Rama dhe në të dy që thuajse kishim mbaruar paketën e marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë, nuk jemi më në Ministritë tona. Por më lejoni t’ju them një lajm. Më 15-16 mars, Departamenti i Studimeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të Universitetit të Pireut, do të zhvillojë një Seminar mbi aspekte të ndryshme të politikës së jashtme të katër viteve të fundit, dhe Ditmir Bushati është midis njerëzve që do më nderojë dhe që më ka premtuar se do të vijë dhe do të flasë ditën e dytë”,- shtoi ish-ministri I Greqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë