Trend

Marrëdhënia spektakolare e të moshuarve shqiptarë me telefonat

Teknologjia dhe mosha e tretë duket se kanë krijuar një "gang" bashkë. Të ecësh në rrugët e Tiranës dhe jo vetëm, shikon të moshuar në trotuare që po qëndrojnë në telefon, të moshuar që ecin rrugës dhe mund ta kuptosh nga larg se po flasin me kamer me dikë, dëgjohet e bërtitura e tyre. Por a e forcoi pandemia këtë lidhje?

"Gocat e mia jetojnë në Itali dhe kur arriti virusi, u mbyllën në shtëpi, gjë që na futi frikën dhe ne", thotë Doda, një 60-vjeçar i cili tregon se para pandemisë kishte një telefon të thjeshtë, me butona, siç i thotë ai dhe me vajzat fliste me telefonin e djalit që jetonte afër tij.

"Gjëja e parë që bëra kur u shënua rasti i parë ishte të shkoja në një dyqan dhe të blija një telefon të mirë, do më duhej", tregon ai. Që atë ditë, Valmira, shitëse tek dyqani “All in one” thotë për Gazetasi.al se në pandemi janë rritur shitjet e telefonave, "sidomos blerjet nga mosha e tretë" pasi e dinin se do të kishin më shumë kohë për të kaluar me to. Një tjetër e moshuar që ndodhet ulur në parkun e Tajvanit thotë për Gazetasi.al se tani telefonin e shikon si "një fëmijë i tretë". Kjo sepse ajo kalon më shumë kohë me telefonin sesa fëmijët e saj, të cilët i banojnë në katin e parë të shtëpisë, ndërsa ajo jeton në katin e dytë.

"Tani në pandemi jam zgjuar me telefonin dhe kam fjetur me telefonin", tregon ajo që me shaka thotë se kaq shumë video me gatime shqiptare dhe të huaja ka parë sa tani ka filluar të shikojë një grua nga Azerbaxhani që gatuan.

Por sa të vështirë e kanë pasur të mësojnë të përdorin telefonin?

Doda thotë se gjëja e parë që i ka kërkuar djalit kur ka blerë telefonin ka qenë që të bëjë shkronjat të mëdha dhe ta lërë shqip, që të mos lodhet shumë me të. Nuria, një 67-vjecare tregon për Gazetasi.al se telefoni në pandemi ka qenë shpëtimi i saj.

"Po të mos kisha pasur atë, se di çfarë do të beja", tregon ajo e cila shpjegon se jeton vetëm dhe telefoni ka qenë shoqëruesi i saj gjatë gjithë izolimin.

Ina, shitëse në një nga pikat e Vodafone tregon për Gazetasi.al se ka shumë raste që shkojnë të moshuarit për të rregulluar një problem ‘të madh’ që ka telefoni i tyre, “ju ka mbaruar oferta dhe nuk e kuptojnë pse nuk hapin dot asgjë në internet”.

Ajo thotë se më së shumti janë të moshës 70-vjeçare personat që e shohin atë vend si një pikë ku mund të rregullojnë çdo problem që kanë në telefon, qofshin ato dhe të llojit “kam një mesazh në telefon dhe nuk e di pse më ka ardhur aty, nuk mbaj mend passëordin e Facebook apo dhe kërkojnë të jua shkruaj në një letër gjithë hapat që ndiqen për të postuar një fotografi në Facebook”.

Ina thotë se është shumë e thjeshtë të vihet re fakti se tani të moshuarit janë një brez cool, me dëshirën më të madhe të përshtaten me modernen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë