Futboll

Mario Mitaj tërheq vëmendjen para merkatos dimërore, mbrojtësi në radarët e Dinamo Zagreb

Gazeta Si - Jo vetëm Jasir Asani, apo Armando Broja. Një nga kuqezinjtë që ka mundësi të mëdha për të ndryshuar skuadër në merkaton e janarit është edhe Mario Mitaj. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po ndiqet nga disa klube europiane dhe në rast të një oferte bindëse, ai do të largohet nga kampionati rus.

Së fundi në lojë për 20-vjeçarin e rritur në Greqi futbollistikisht ka hyrë në lojë Dinamo e Zagrebit. Nga gjigantët kroatë ka një interesim konkret dhe për Mitajn do të ishte një trampolinë e mirë, po të kemi parasysh se nga Dinamo e Zagrebit janë shitur në klubet e mëdha shumë lojtarë.

Mbrojtësi i majtë, një nga zbulimet e trajnerit Silvinjo, ashtu si Asani, aktualisht luan me Lokomotivën e Moskës. Më shumë se kampionati rus atë e ka nxjerrë në vitrinë aktivizimi i rregullt me kuqezinjtë, ku shkodrani ka bërë një paraqitje vërtet befasuese. Madje, është një nga lojtarët e pazëvendësueshëm në formacionin e Shqipërisë.

Përveç performancës së kohëve të fundit, Mitaj ka në favorin e tij edhe moshën. Çdo klub europian nuk do të mendohej dy herë për të investuar për një 20-vjeçar që ka shfaqur një nivel të lartë në futbollin ndërkombëtar. Numrat janë në anën e mbrojtësit kuqezi, që pritet të bëjë lëvizjen e radhës që në merkaton e dimrit.

Te Lokomotiva e Moskës Mitaj është aktivizuar edhe si mesfushor qendre dhe e ka bërë shumë mirë, falë besimit që ka fituar në vetvete dhe saktësisë në pasime. Ky është një tjetër plus që kompleton profilin e një lojtari që josh klubet e nivelit të lartë ndërkombëtar.

Nga kuqezinjtë e tjetër, ata që janë më afër transferimit të mundshëm në një skuadër tjetër gjatë merkatos dimërore janë Jasir Asani, Ernest Muçi dhe Armando Broja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë