Lajme

Margariti: Jo dëme të mëdha në institucionet kulturore

Pas lëkundjeve të forta të tërmetit në vendin tonë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një deklaratë nga ambientet e Ministrisë ka bërë një raport mbi situatën e monumenteve të kulturës.
Margariti dëmet në institucionet kulturore i ka cilësuar si modeste dhe ka bërë me dije se ka filluar hartimi i projekteve për objektet e prekura.
“Kemi disa plasaritje sipërfaqësore, në pak objekte janë më të thelluara. Muzeu Historik Kombëtar vijon të jetë i hapur, ne kemi marrë të gjitha masat për të rrethuar pjesën e fasadës, ku është prekur. Galeria Kombëtare ka disa plasaritje të vogla. As në Teatrin Kombëtar nuk ka asnjë lloj problematike, që nuk sjell shqetësime as tek artistët. Te Shallvaret problematike janë dëmet në oxhaqe, dhe po bëhen projekte për rikuperimin e dëmit. Edhe në Fakultetin e Gjeologjisë po marrim masa për rikuperimin e dëmit”, u shpreh ndër të tjera Margariti.
Ndërkohë, ministrja Margariti theksoi se “vazhdojmë inspektimin në terren. Edhe sot ka vijuar koordinimi në terren”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë