Futboll

Marash Kumbulla grumbullohet nga Mourinjo për derbin me Lacion: Mezi po pres!

Gazeta Si – Buzëqeshje për Marash Kumbullën. Mbrojtësi shqiptar është gati të ulet sërish në stolin e Romës, pasi ka lënë pas dëmtimin në gju që e mbajti jashtë fushave për një kohë të gjatë. Lojtari nuk i ka fshehur emocionet dhe ka bërë një postim në rrjetet sociale për rikthimin.

Pas shumë vuajtjesh, një moment lumturie për mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla. Për derbin e Kupës së Italisë mes Romës dhe Lacios ai do të jetë në stol. Mbrojtësi do të jetë mes të grumbulluarve të trajnerit Mourinjo, edhe pse nuk pritet të marrë minuta që sot.

Kumbulla kishte disa ditë që stërvitej në Trigoria, duke u futur gradualisht me grupin. Tani pritja ka marrë në fund dhe lojtari nuk e ka fshehur lumturinë. Në Instagram ai ka bërë një postim, ku shkruan: "Mezi po pres".

Pas dëmtimit të rëndë në krociat sezonin e kaluar, mbrojtësi i Kombëtares sheh më në fund dritë në fund të tunelit. Ky është një lajm i mirë edhe për trajnerin e kuqezinjve, Silvinjo, pasi në Euro 2024 mund të ketë një alternativë më shumë për prapavijën. Dhe bëhet fjalë për një lojtar me kualitet, që tani duhet të rifitojë formën optimale sportive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë