Futboll

Marash Kumbulla debuton me Sasuolon në një mbrëmje horror për ekipin e tij

Gazeta Si – Marash Kumbulla ka luajtur sot minutat e para me fanellën e Sasuolos. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare debutoi me skuadrën e re, ku kaloi në merkaton e dimrit, në një ndeshje për t’u harruar. Sasuolo u mund në fushën e vet 1-6 nga Napoli.

Ishte një mbrëmje horror për skuadrën e Kumbullës dhe Bajramit, me këtë të fundit titullar. Sasuolo shënoi një gol në fillim, pastaj pësoi 6 nga kampionët në fuqi të Italisë, të parin me autor Amir Rrahmanin, ndërsa Osimhen realizoi 3 herë. Napoli rikuperon kështu pikë me vlera nga kjo ndeshje e prapambetur.

Kumbulla hyri në fushë në minutën e 77-të, kur gjithçka ishte mbyllur sa i takon rezultatit. Për mbrojtësin kuqezi ka rëndësi të fillojë të luajë sa më shumë në vazhdim, sepse ky ishte edhe qëllimi i huazimit të tij nga Roma në janar, duke qenë se vjen nga një dëmtim që e ka mbajtur jashtë fushave për shumë kohë. Sasuolo po kalon një moment shumë të vështirë, me disa humbje radhazi, që e kanë komplikuar pozicionin në renditje.

Nëse Kumbulla do të ketë një aktivizim të rregullt në pjesën e mbetur të kampionatit, mund të shpresojë për të qenë në listën e trajnerit Silvinjo për Europianin e Gjermanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë