Futboll

Marash Kumbulla debuton me Romën, 90 minuta dhe 1 pikë ndaj Juventusit

Nuk luajti javën e parë ndaj ish-skuadrës së tij, Veronës, por ndaj Juventusit Marash Kumbulla zbriti në fushë nga minuta e parë në atë barazim 2-2. Trajneri Fonseka i besoi një fanellë titullari mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, që iu bashkua Romës disa ditë më parë. Një ndeshje pozitive për Kumbullën, i cili është vlerësuar me notën 6.5 nga shtypi sportiv italian. Ai dhe Ibanjez ishin më të mirët në prapavijë.

Mbrojtësi shkodran u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë. Një mbrëmje që do të mbetet në memorien e lojtarit kuqezi, që ka hequr tashmë emocionet e debutimit dhe forma e tij pritet të vijë në rritje. Roma kaloi dy herë në avantazh me francezin Veretu në pjesën e parë, së pari me penallti e më pas me një gjuajtje të saktë në zonë. Iu përgjigj me të njëjtën monedhë Ronaldo, duke barazuar herën e parë me penallti dhe më pas me një fluturim siç di të bëjë vetëm ai.

Ronaldo shënon golin e barazimit ndaj Romës. Gazeta Si, 27 shtator 2020

Juventusi luajti me 10 vetë për më shumë se 20 minuta, pasi Rabiot u ndëshkua me karton të kuq dhe në atë moment rezultati ishte 2-1. Kapiteni Edin Xheko kishte dy mundësi shumë të mira për ta mbyllur ndeshjen, por gaboi dhe më pas erdhi ndëshkimi nga Ronaldo. Pas dy javësh kampionat, Juventusi ka 4 pikë, kurse Roma 1 pikë.

Milani ka fituar 0-2 në fushën e Krotones, me gola te Kesi me penallti dhe Brahim Diaz. Kuqezinjtë udhëheqin renditjen me 6 pikë, po aq sa ka edhe Napoli i Elseid Hysajt dhe Verona. Kapiteni i Kombëtares ishte titullar në fitoren tenistike, 6-0, të Napolit ndaj Xhenoas. Hysaj luajti në të majtë të mbrojtjes dhe dha një asist në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë