Futboll

Maradona iku i varfër, do të jetë betejë ligjore për trashëgiminë e tij

"Maradona nuk kishte thuajse asgjë në llogarinë e tij bankare, iku i varfër". Deklarata që po bën bujë në Argjentinë është e Luis Venturës, gazetarit që prej vitesh ka qenë pranë yllit argjentinas dhe familjes së tij.

Ventura e ka plasur “bombën” pak orë pas vdekjes së “Pibe de Oro”, duke shpjeguar se pasuria e madhe e akumuluar së pari si futbollist e më pas si trajner dhe imazh, ka humbur për shkak se ai ishte shumë dorëdhënë, por edhe sepse ata që e rrethonin ia kanë boshatisur xhepat. "Maradona vdiq i varfër", - ka thënë Ventura në studion e programit televiziv "Fantino a la tarde". Për ata që e kanë pyetur se ku ka përfunduar pasuria prej dhjetëra miliona dollarësh prej rrogës së tij, kur ishte trajner në Dubai, Ventura u përgjigj se atë ia kanë vjedhur familjarët, apo ata që prej vitesh bënin pjesë në të ashtuquajturin rrethi intim.

Luis Ventura, gazetar argjentinas. Gazeta Si, 26 nëntor 2020

"Pasuria e fituar në Dubai? Nuk ka më asnjë gjurmë, thuajse gjithçka është zhdukur", - ka thënë me bindje Ventura, i cili ka saktësuar se gjatë viteve të fundit Maradona ka jetuar vetëm me rrogën që përfitonte nga Gimnasia La Plata (flitet për një milion euro në sezon, por shifrat reale nuk janë bërë të ditura zyrtarisht asnjëherë).

Pohimet e Venturës kanë të bëjnë jo vetëm me pasurinë e fituar në Dubai, por edhe për kontratën e majme me Dinamo Brestin në Bjellorusi, ku Maradona ishte president nderi dhe përfitonte 20 milionë dollarë në vit për tre vjet, si dhe për 150 mijë dollarët si rrogë mujore që e paguante Doradosi, skuadra meksikane që ai drejtoi para se të kthehej në Argjentinë për të marrë drejtimin e Gimnasias.

"I kanë vjedhur thuajse gjithçka, pjesën tjetër e ka dhuruar, sepse ishte një njeri që nuk i thoshte “jo” askujt. Mjaftonte t’i kërkoje dhe të jepte gjithçka, - ka shtuar Ventura. Një version që koincidon me atë që ka treguar sulmuesi paraguaian Pablo Velazkez, i cili ishte nën urdhrat e Maradonës deri sezonin e shkuar.

"Maradona ishte një njeri me bujari të jashtëzakonshme. Shpesh shpërblimet për lojtarët i jepte nga xhepi i tij. Hynte në dhomat e zhveshjes me një çantë plot dhe shpërndante dollarë, - ka rrëfyer Velazkez për “Futgol”. – Mbante gjithmonë dy ora, unaza të ndryshme, byzylykë dhe varëse. Mjaftonte t’i thoshe se ishin shumë të bukura dhe ai i hiqte dhe t’i dhuronte menjëherë".

Xhanina, një nga vajzat e Maradonës. Gazeta Si, 26 nëntor 2020

Në sfondin e deklaratave të gazetarit Ventura, pyetja që shtohet është se çfarë do të ndodhë me trashëgiminë e tij? Mund të kuptohet lehtë se do të jetë një betejë ligjore mes familjarëve të shumtë të tij (nga ish-gruaja Klaudia deri te dy ish-të fejuarat Veronika Ojeda dhe Rocio Oliva, pa përmendur fëmijët e tij). Duke iu referuar shtypit argjentinas, për të përcaktuar trashëgiminë e Maradonës është diçka e komplikuar.

E vetmja qartësi është llogaria bosh në bankë. Maradona ka shumë pasuri të paluajtshme (një ndërtesë e gjitha e tij, dy apartamente në Buenos Aires, si dhe vila e Tigresit, ku po zhvillonte fazën e rehabilitimit pas operacionit). Po ashtu, janë edhe 6 automjete luksi (Bmv, Audi dhe Rolls Rojs), pa llogaritur kontratat e sponsorizimit dhe disa investime jashtë Argjentinës, nga Kuba në Itali. Tani pritet të nisë një betejë ligjore për të marrë atë që Maradona ka lënë pas. Ata që e njihnin mirë, si Ventura, janë të bindur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë