Politike

Maqedonia në NATO, ish-ministri Bushati rezerva ndaj Qeverisë

Shqipëria mund të jetë shteti i dytë që miraton protokollin e marrëveshjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Të enjten në seancë parlamentare do të votohet Protokolli i aderimit të shtetit fqinj në Aleancën më të fuqishme ushtarake. Në këtë votim parashikohet që të jetë i pranishëm kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri.
Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior, për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Por në këtë mbledhje nuk munguan kritikat e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati ndaj mënyrës se si është paraqitur dokumenti. Ai ka tërhequr vëmendjen se pse në relacion nuk ka përfshirë edhe rolin e Shqipërisë në këtë proces.
Bushati u shpreh që dokumenti ka mangësi pasi në asnjë rresht nuk evidentohet roli i Shqipërisë në këtë proces.
“Për fat të keq kjo i mungon relacionit që ka ardhur nga Këshilli i Ministrave. Nuk përmendet në relacion marrëveshje e Ohrit. Mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm për ta qepur siç duhet këtë dokument sepse ka të bëjë me politikën shtetërore tonë”, tha ish-kryediplomati.
Pro kalimit të kësaj marrëveshje votoi edhe opozita, e cila nuk ngurruar që të shprehë kritikat e saj me mos prezencën e ministrit të Jashtëm, duke e cilësuar si një mungesë serioziteti.
“Në suazën e pupacëve që janë vendosur për të çuar në një anarshi të plotë përsëri të re, ndoshta në gjithë rajonin, të cilat rrezikojnë rëndë pozicionin e Shqipërisë, pozicionin tonë në NATO. Zoti ministër i Jashtëm nuk ka pse të fshihet skutave”, deklaroi deputeti demokrat Tritan Shehu.
Ndërsa në Komisionin e Integrimit Taulant Balla i kërkoi konferencës së Kryetarëve që të fusin në seancë plenare prezantimin e raportit për integrimin nga ana e qeverisë.
Të ftuar për këtë mbrojtur këtë projektligj ishin Artemis Dralo zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, Petro Koçi zëvendësministër i Mbrojtjes, Armand Skapi drejtor i Traktateve në MEPJ, Ilir Melo drejtor i Drejtorisë së Rajonit dhe Vendeve Fqinje në MEPJ, Gjergji Methoxha drejtor i Drejtorisë së Politikave NATO dhe BE në Ministrinë e Mbrojtjes.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Dralo, në fjalën e saj u shpreh se Maqedonia e Veriut ka bëre përpjekje të shumta institucionale për t’u anëtarësuar në NATO dhe se kishte ardhur koha për t’u bërë pjese e kësaj aleance.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë