Ne rrjet

Maqedonia e Veriut do të rihapë kufijtë në koordinim me Shqipërinë

Maqedonia e Veriut njoftoi sot nisjen e punës së bizneseve, kafeneve, restoranteve, qendrave tregtare dhe objekteve tjera, por nën masa të veçanta, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus. Ajo ka regjistruar shtatë raste të të infektuarve me koronavirus, ndërkohë që numri në total i rasteve ka shkuar në 1,518 dhe ai i viktimave 85.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe deklaroi se hapja e kufijve do të bëhet në koordinim me vendet fqinje, si Shqipëria apo Greqia. Filipçe tha se ka realizuar biseda telefonike me drejtuesit e ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve, ndërsa pohoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbajë një konferencë kushtuar shteteve të rajonit.

“Temë e bisedimeve do të jetë koordinimi për hapjen e kufijve dhe masat që do t’i ndërmarrin shtetet, sepse nuk do të mundemi, jo vetëm ne, por cilido shtet, të kemi strategji të suksesshme, nëse në ndonjë moment lejohen udhëtarë nga jashtë, pa kontroll. Mund të marrim masa të caktuara, të cilat do t’i respektojnë të gjithë qytetarët e të gjitha vendeve fqinje, nëse udhëtojnë kudo. Vetëm kjo mund të jetë një histori e suksesshme”, ka deklaruar Filipçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë