Analize

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë shpresa për negociatat brenda këtij viti

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bullgari, Maqedonia e Veriut duket se ka humbur të gjitha shpresat që të hapë negociatat me Bashkimin Europian brenda vitit, duke bllokuar kështu edhe Shqipërinë.

Edhe pse me një rezultat të ngushtë, njeriu i Bashkimit Europian në Sofje, ish-kryeministri Boyko Borisov, është larguar nga pushteti, duke humbur përballë prezantuesit televiziv, Slavi Trifonov.

Edhe pse qeveria e Borisov ishte ajo që vuri fillimisht veton kundër anëtarësimit të Shkupit, ish-kryeministri ka mbajtur një qëndrim më konstruktiv se partia që fitoi zgjedhjet. Me ardhjen e Trifonov në pushtet, Maqedonia e Veriut duket se ka kaluar nga shiu në breshër.

Pa u certifikuar ende rezultatet, Trifonov ka paraqitur një kabinet qeveritar të përbërë nga ekspertë dhe në prioritetet e punës së tij ka përmendur edhe Maqedoninë e Veriut. Ai mbajti një qëndrim të ashpër, duke thënë se historia dhe gjuha maqedonase kishte aq të përbashkëta me atë bullgare. Madje ai nuk e kurseu ironinë therëse.

“Do të paraqes kërkesën për anëtarësimin e Bullgarisë në Agjencinë Evropiane të Hapësirës sepse vetëm Bullgaria nuk është anëtare e saj. Unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të dërguar një burrë dhe një grua, që do të jenë astronautët e parë bullgarë në NASA. Unë do të bëj gjithçka që është e mundur që edhe një astronaut maqedonas t’u bashkohet atyre. Të mos e ulim kokën poshtë nga turpi, por të fillojmë të shikojmë yjet”, ka thënë Trifonov.

Slavi Trifonov

Kjo deklaratë është parë si provokim i rëndë në Shkup, por edhe si mesazh se Zaev do ta ketë të vështirë të bisedojë me qeverinë e re bullgare për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe në kushtet që BE nuk do të pranojë të ndajë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, edhe për vendin tonë hapja e negociatave është e pashpresë.

“Unë nuk do të rrisja shpresat lidhur me zbutjen e qëndrimit të Bullgarisë në raport me vendin tonë. Partia e Trifonovit nuk ka ndonjë përvojë në drejtimin e shtetit, pozicionet e tija dihen...deklaratat e para që bëri tani nuk japin shumë shpresë se mund të bisedohet me të në mënyrë racionale për çështjet me Maqedoninë. Mbetet të shihet se çfarë pozicione do të kenë ata që mund të jenë pjesë e qeverisë, pasi kabineti i ri do të formohet nga ekspertë që do të propozohen nga partia e tij”, ka deklaruar Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politikë Evropiane në Shkup.

Marjan Gjorçev, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje të Bullgarisë, thotë po ashtu paragjykimet dhe doktrina bullgare e mohimit të gjithçkaje që ka të bëjë me maqedonasit, vështirë se do të lihet mënjanë nga politikanët aktualë bullgarë.

“Çfarëdo qeverie që mund të formohet vështirë se do të mund të eliminojë paragjykimet e doktrinës bullgare se e vetmja që duhet të zgjidhë të ashtuquajturën çështje maqedonase, apo se e vetmja që duhet të vendosë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit europian të Maqedonisë së Veriut është Bullgaria. Zgjidhja e vetme e këtij kontesti të sajuar nga pala bullgare, është që Maqedonia e Veriut t’i bëjë me dije Bashkimit Evropian, si shtet kandidat dhe NATO-s s, se pengesat e Bullgarisë pengojnë edhe zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thotë Gjorçev.

Sipas tij, Bashkimi Europian dhe NATO-ja, “duhet të bëjnë përpjekje shtesë për t'ia bërë të qartë Sofjes se pengimi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, pengon edhe politikën e zgjerimit të evropian dhe se mosmarrëveshja dypalëshe midis Shkupit dhe Sofjes duhet të zgjidhet mbi parime krejtësisht të ndryshme, ashtu siç u zgjidhën mosmarrëveshjet midis Kroacisë dhe Sllovenisë, ashtu si bisedojnë Serbia dhe Kosova, apo siç janë zgjidhur problemet tjera mes vendeve anëtare të BE-së”.

Simonida Kacarska, eksperte nga Instituti i Politikave Europiane nuk beson se këtë vit mund të ketë zgjidhje të kontestit edhe për faktin se në vjeshtë Bullgaria do të ketë edhe zgjedhje presidenciale dhe se për një marrëveshje të mundshme, sipas saj, nevojiten udheheqës progresiv.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me personalitete progresive në Bullgari, të cilët nuk i shohim në këtë fazë. Në qeverinë e re, nëse formohet, nuk do të kemi personalitetet më ekstreme, siç është Krasimir Karakaçanov, partia e të cilit nuk e kaloi pragun për të hyrë në kuvend. Por, pavarësisht kësaj, zhvillimet në Bullgari nuk japin shpresë për bisedime, por as nga partnerët evropianë nuk mund të presim ndonjë zhvillim apo angazhim për dialog, duke marrë parasysh zhvillimet në Sofje. Nuk ka shpresa për ndonjë zgjidhje edhe për faktin se në vjeshtë atje do të ketë edhe zgjedhje presidenciale. Kështu që as nga presidenti Rumen Radev nuk pritet ndonjë lëvizje pozitive, për faktin se ai do të jetë edhe kandidati për një mandat të ri”, thotë Kacarska.

Bullgaria e kushtëzon heqjen e vetos me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën maqedonase, identitetin dhe aspekte të tjera historike, me pretendimet se ato kanë prejardhje bullgare. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga institucionet maqedonase, ndërsa partia kryesore opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE kërkon që “vijat e kuqe” apo refuzimi i çdo kompromisi për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, të zyrtarizohet përmes një rezolute që ka paraqitur për votim në kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë