Analize

Maqedonia dhe Mali i Zi do të hyjnë në BE para vitit 2025?

Edhe pse kryeministri Edi Rama u shpreh mjaft i zhgënjyer në lidhje me pengesat dhe kërkesat e BE-së ndaj Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës në Pejë, Maqedonia dhe Mali i Zi duket se janë më optimiste se kurrë. 

Shkupi dhe Podgorica zyrtare janë të bindura se do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Europian para vitit 2025, duke qenë se sipas tyre janë në rrugën e duhur për të plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga unioni europian.  

Maqedonia, ashtu si Shqipëria, nuk ka hapur ende negociatat për anëtarësimin në BE, por kryeministri Zoran Zaev duket se është mjaft optimist se pas ratifikimit të marrëveshjes me Greqinë, rruga e Shkupit do të jetë e hapur.  

Nga ana tjetër Mali i Zi ka hapur një pjesë të madhe të kapitujve të anëtarësimit, por nuk ka përmbushur disa reforma kyçe. Megjithatë, kryenegociatori i BE-së për Malin e Zi deklaroi se Podgorica do të jetë shumë shpejt pjesë e unionit. 

 Zoran Zaev

Maqedonia 

Pavarësisht përplasjeve të njëpasnjëshme me opozitën, Zaev është shprehur mjaft optimist, duke deklaruar se pret që vendi i tij të anëtarësohet në Bashkimin Europian para vitit 2025.
"Për momentin, ne kemi përshtatur legjislaturën tonë dhe kemi kompletuar pjesën më të madhe të punës. Ka kapituj që do të duhet të hapim më pastaj t’i mbyllim sërish. Gjithsesi, gjithçka varet prej nesh dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, unë besoj se Maqedonia mund të bashkohet me BE-në deri në vitin 2023 ", tha kryeministri Zaev në një intervistë për të përjavshmen serbe “NIN”.

Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj vlerësimit të profesorëve në Universitetin Zviceran të Shën Gallenit, të cilët deklaruan se e ardhmja europiane e Shkupit ishte ende shumë larg. Pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie dhe ardhjes në pushtet të Social Demokratëve, Maqedonia duke se ka nisur reformat për të përmirësuar jetën politike të vendit dhe për të përmirësuar imazhin e saj në Europë. Një sërë mediash të lidhura me Bashkimin Europian shkruajnë së fundmi se Shkupi është në rrugën e duhur për vendosjen totale të sundimit të ligjit dhe zgjidhjen hap pas hapi të problemeve të brendshme, si krimi i organizuar apo përçarjet etnike.

Vitet e fundit, Shkupi ka qenë në qendër të vëmendjes në lidhje me skandale nga më të ndryshme. Megjithatë, tani është më e domosdoshme se kurrë që qeveria të provojë veten duke bërë që institucionet dhe administrata të punojnë drejt zbatimit të programit kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha duke shmangur çdo kthim në praktikat e kaluara të politizimit të punësimit. 

Tani që shumica e Perëndimit është fokusuar tek referendumi në Maqedonia, Kryeministri Zaev është zotuar të çojë deri në fund luftën kundër korrupsionit për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të bërë të mundur anëtarësimin e saj në BE dhe NATO. Raportet e fundit të BE vunë në dukje se qeveria e kryeministrit Zaev duket se po merr seriozisht korrupsionin politik dhe po tenton të vërë baza për një shtet demokratik. Rezultatet e Maqedonisë në indekset e ndryshme të korrupsionit po përmirësohen, ndërkohë që imazhi i vendit në arenën ndërkombëtare është tjetërsuar.

Shkup 

Zaev kujtoi se Maqedonia ka qenë një vend kandidat i Bashkimit Europian që nga viti 2005 dhe shprehu shpresën se do të mund anëtarësohet së bashku me Serbinë. "Ne duam marrëdhënie miqësore me Serbinë dhe ne do të përpiqemi t'i mbajmë ato në nivelin më të lartë të mundshëm", theksoi ai.

Kjo deklaratë ishte një surprizë për shumicën e analistëve rajonalë, të cilët prisnin që marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Serbisë të dobësoheshin pasi ish-kryeministri Gruevski u arratis në Hungari nëpërmjet Serbisë.

"Tani është e qartë për të gjithë që Gruevski është ndihmuar nga agjentë të jashtëm, sepse ai u largua me një makinë diplomatike nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbisë dhe Hungarisë. Tani po hetojmë nëse ai është ndihmuar edhe në Maqedoni ", tha Zaev.

“Gruevski nuk ishte në rrezik dhe as nuk ka qenë viktimë e persekutimit politik. Gjithçka ka qenë transparente, të gjithë e dinë se ai ishte shpallur fajtor në një proces gjyqësor që madje as partia e tij nuk e ka sfiduar ", theksoi ai.

Një pengesë tjetër për marrëdhëniet e mira Serbi-Maqedoni është çështja e Kosovës, e cila është njohur nga Shkupi. Zaev shprehu besimin e tij se arritja e një marrëveshjeje do të çonte në prosperitetin e të gjithë rajonit, paqen, stabilitetin, integrimin europian dhe bashkëpunimin ekonomik.

"Kjo është arsyeja pse unë besoj se marrëdhëniet Serbi-Maqedoni do të jenë edhe më të mira", nënvizoi ai, duke mos pranuar të mbante një qëndrim ndaj shkëmbimit të mundshëm të territorit, sepse sipas tij "ato janë vetëm spekulime dhe informacione të pakonfirmuara".

Podgorica

Ndërkohë, duke reflektuar mbi procesin e ndryshimit të Kushtetutës maqedonase, Zaev deklaroi se ai pret që ajo të finalizohet deri në fund të janarit 2019. "Ne të gjithë po punojmë së bashku për të mbledhur më shumë se 80 vota. Unë sinqerisht shpresoj se kjo do të ndodhë ", tha ai, duke kujtuar se faza tjetër do të jetë ratifikimi i Marrëveshjes nga Parlamenti Grek.

I pyetur nëse Presidenti Ivanov, i cili ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, do të miratjë Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, Zaev u përgjigj pozitivisht.

Mali i Zi në BE

Ndërkohë, edhe kryenegociatori i BE-së Aleksandar Drljević për Malin e Zi deklaroi se vendi i tij do të anëtarësohet në BE para vitit 2025. Deri më tani vendi fqinj ka hapur 31 kapituj për anëtarësimin në BE dhe pret që të hapë edhe dy të tjerët. Në një intervistë me “European Western Balkans” ai deklaroi se Mali i Zi të jetë në gjendje të mbyllë të gjithë kapitujt dhe të bëhet anëtar i BE deri në vitin 2025.    

“Transformimi i shoqërisë malazeze në përputhje me sistemin e vlerave europiane që bazohet në sundimin e ligjit është një proces kompleks, por qeveria është plotësisht e angazhuar. Duke hapur dhe mbyllur kapitujt e negociatave, Mali i Zi po forcon gatishmërinë e tij për anëtarësim. Ne kemi theksuar në mënyrë të përsëritur se anëtarësimi në BE nuk është objektivi i vetëm, por që në thelb të këtij procesi është demokratizimi i vërtetë i shoqërisë. Konfirmimi se po bëjmë një punë të mirë mund të vërehet në faktin se deri tani kemi hapur 31 kapituj negociues dhe presim që të hapim edhe dy të tjerët. Një ritëm i tillë na jep arsye për të besuar se do të jemi gati për anëtarësim edhe para vitit 2025”, deklaroi ai. 


Aleksandar Ivković 

I pyetur se cilat janë reformat më domethënëse që Mali i Zi ka ndërmarrë për anëtarësimin në BE, Drljević u përgjigj se: Kapitujt 23 dhe 24 përfaqësojnë thelbin e procesit të anëtarësimit dhe ritmi i negociatave dhe lëvizjes drejt BE-së në përgjithësi varet nga progresi i bërë në këto fusha. Dy javë më parë, Komisioni Evropian paraqiti dokumentin jopublik mbi statusin e negociatave në këto dy kapituj, ku i njohu të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga institucionet malazeze me qëllim të përmirësimit të sundimit të ligjit dhe rritjen e cilësisë së jetës dhe sigurisë e qytetarëve tanë. Kemi pasur përparimin në shumë fusha, si reforma e legjislacionit dhe ndërtimi i institucioneve, lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe sekuestrimin e përkohshëm të pasurive.    

Sipas indekseve ndërkombëtare, Mali i Zi ka shënuar përparime në luftën kundër krimit të organizuar, për shkak të bashkëpunimit policor me shtetet anëtare të BE. Policia malazeze ka marrë pjesë në një sërë operacionesh ndërkombëtare të profilit të lartë që kanë rezultuar në arrestimin e anëtarëve të grupeve kriminale dhe konfiskimin e substancave të drogës.
Në një raport, Komisioni Europian gjithashtu vuri në dukje arritjet e Malit të Zi në luftën kundër korrupsionit. Podgorica nisi një sërë hetimesh kundrejt partive politike për financimin e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet lokale.

Burimet: "European Western Balkans", "NIN"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë