Futboll

Manxhukiç e mbyll shpejt në Katar, rikthim surprizë në Serinë A

Aventura e Mario Manxhukiç në Katar ka zgjatur vetëm 6 muaj. Sulmuesi korat ka prishur kontratën me ekipin Al Duhail dhe është zyrtarisht në merkato. Nga Italia vijnë zërat e parë për një rikthim surprizë të sulmuesit në Serinë A.

Është një okazion, që sipas “Tuttosport”, kërkon ta shfrytëzojë Verona. Drejtuesit e saj po tentojnë ta bindin sulmuesin veteran të veshë fanellën e Veronës, ku një ndikim të madh mund të ketë trajneri Ivan Juriç, bashkombës i Manxhukiçit. Verona mund ta përballojë pagën e kroatit, pasi ka mbushur arkën nga shitja e Rrahmanit te Napoli dhe Amrabat te Fiorentina, pa marrë në konsideratë edhe shitjen e pritshme të Marash Kumbullës tek Interi apo te Lacio.

Mario Manxhukiç me fanellën e Al Duhail. Gazeta Si, 6 korrik 2020

Futbollisti 34-vjeçar ka luajtur më parë për disa nga klubet më në zë të Europës, si Bajern Munih në Gjermani, Atletiko Madrid në Spanjë dhe Juventusi në Itali. Pas Botërorit të Rusisë, ku Kroacia shkoi deri në finale, Mario Manxhukiç i dha lamtumirën kombëtares. Ai u largua nga Juventusi për të luajtur në Katar, por tashmë “luftëtari” mund të rikthehet në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë