Ka ndodhur

Manovra të rrezikshme dhe të dehur në timon, arrestohen 18 drejtues mjetesh

Gjithsej 18 drejtues automjetesh janë arrestuar gjatë 48 orëve të fundit, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, janë konstatuar me radar të policisë dy automjete, një “Land Rover” që drejtohej nga shtetasi B.S., nga Tirana, i cili qarkullonte me shpejtësi 194/km/h dhe një “Benz” që drejtohej nga një shtetas kosovar M.I., me banim në Zvicër, i cili qarkullonte me shpejtësi 191 km/h.

Të dy drejtuesit e mjeteve nuk i kanë ndaluar patrullës së Policisë Rrugore me radar, por janë kapur nga shërbimet e Policisë Vlorë dhe janë ndëshkuar me masë administrative me nga 48.000 lekë të rinj secili.

Në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë konstatuar me radar, mjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi B. K., nga Tirana, i cili qarkullonte me 160 km/h. Drejtuesi është ndëshkuar me 10.000 lekë të rinj gjobë, pezullim të lejes së drejtimit 3 muaj dhe zbritje pikësh nga patenta.

Gjatë kontrolleve në 48 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 64 leje drejtimi, nga të cilat 48 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Përgjatë kontrolleve, efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës kanë goditur një tjetër rast të mitëdhënies, në rrugën “Dritan Hoxha”, ku drejtuesi i një motomjeti, shtetasi M. S., për të shmangur masën administrative pasi kishte kaluar me semafor të kuq, iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 2500 lekë të rinj. 

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 2908 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë